Papa në takimin me autoritetet e San Marinos: shoqëria të tregojë kujdes për jetën
e familjen
E dendur me takime edhe pasditja e vizitës së Papës në dioqezën e San Marino-Montefeltros.
Pas drekës në Valdragone, ku falenderoi organizatorët e udhëtimit dhe anëtarët e Fondacionit
ndërkombëtar Gjon Pali II, Ati i Shenjtë u takua në Pallatin Publik, seli e qeverisë
së San Marinos, me Kapitenët Regjentë, me anëtarët e Kongresit e ata të Trupit Diplomatik........... Rrënjët
e krishtera të Republikës; mbrojtja e jetës njerëzore nga fillimi në fundin e natyrshëm;
politikat në favor të familjes, subjekti kryesor në gjirin e së cilës mund të rriten
njerëz të lirë dhe të formuar me vlera të thella e të përhershme; kujdesi për të mos
humbur kuptimin e krishterë të jetës në shoqërinë aktuale; çështja e njerëzve, që
punojnë përtej kufirit, që të mos humbasin punën; e mira e përbashkët, duke u nisur
nga fjalët që u pati thënë dikur i Lumi Gjoni XXIII regjentëve të Republikës për vizitë
në Vatikan ishin disa nga temat, që Ati i Shenjtë vuri në dukje para asamblesë së
krerëve të San Marinos. Këshilla e tij: “Juve, Zonja e Zotërinj të shkëlqyer,
ju takon detyra e ndërtimit të qytetit tokësor, me autonominë e duhur dhe në respektimin
e atyre parimeve njerëzore e shpirtërore, që çdo qytetar duhet t’i pranojë me përgjegjësi
dhe me ndërgjegje; e, njëkohësisht, po juve ju takon edhe detyra e vazhdimit të veprimtarisë
aktive për formimin e një bashkësie të themeluar mbi vlera të përbashkëta”.