2011-06-19 19:52:57

Papa u bën thirrje të rinjve samarinezë të mos ndalen në dukjen e gjërave, por, duke reflektuar mbi to, të gjejnë Krishtin


E jashtëzakonshme, pritja e 4 mijë të rinjve, në festë për Papën, në sheshin Viktor Emanueli të Penabilit, lokalitet në territorin italian pranë San Marinos. Dy të rinj i përshkruan Benediktit XVI frikën dhe shpresën e një brezi, i cili përjeton shumë kontradikta, përmbledhur në një letër, që rinia e dioqezës i ka shkruar Atit të Shenjtë. Papa u shpjegoi se pyetjet e dyshimet e tyre për jetën janë të natyrshme, por edhe i këshilloi:........RealAudioMP3
“Mos u ndalni para përgjigjeve të pjesshme, të menjëhershme, sigurisht më të lehta e më të rehatshme, që mund të japin ndonjë çast lumturie, ekzaltimi, dehjeje, por që nuk iu çojnë drejt gëzimit të vërtetë të jetës, atij që lind në njeriun, që nuk ndërton në rërë, por në shkëmb të fortë. Mësohuni të reflektoni, të lexoni jo në sipërfaqe, por në thellësi të përvojës suaj njerëzore: do të zbuloni, me mrekulli e gëzim, se zemra juaj është dritare e hapur për amshimin!”
Papa vuri në dukje se bota e sotme u ofron të rinjve shumë gjëra materiale, në të cilat rrezikojnë të humbasin përmasën e tyre shpirtërore. Ku ta gjejnë sërish atë? Në Krishtin, u tha Papa, duke e ndarë jetën me Të. Në Zotin e Ringjallur gjejmë sigurinë për shpresat tona:
“Mos kini frikë të përballoni situatat e vështira, çastet e krizës, sprovat e jetës, sepse Zoti është me ju! Ju inkurajon të bëheni miq me Të përmes leximit të Ungjillit e të krejt Shkrimit të Shenjtë, përmes pjesëmarrjes në Eukaristi, përmes impenjimit në bashkësinë kishtare, përmes konsultimit me një udhëheqës të vlefshëm shpirtëror… Lejoni që misteri i Krishtit t’ju ndriçojë krejtësisht! Vetëm atëherë, mund të çoni në ambientet e ndryshme atë risi, që mund të ndryshojë marrëdhëniet, institucionet, strukturat, për të ndërtuar një botë më të drejtë e më solidare, të frymëzuar nga kërkimi i së mirës së përbashkët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.