2011-06-18 10:20:55

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Trinisë Shenjte. Lavdi Atit e Birit dhe Shpirtit Shenjt!


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të meshës së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës në të cilën Kisha e kremton festën e Trinisë Shenjte.
Të hënën e kaluar, pas solemnitetit të festës së Rrëshajëve, për kalendarin liturgjik të kishës, ka filluar Koha e rregullt apo Koha gjatë Vitit që shkon deri të dielën e parë të Kohës së Ardhjes, pra deri në fillimin e një vitit të ri kishtar, pra flasim gjithnjë për kohën liturgjike të kishës.
Siç thamë ,sot kremtojmë solemnitetin e të Shenjtenueshmës Trini, do të thotë kremtojmë Zotin ashtu siç Ai është, i vetmi Zot i vërtetë, që ka dashur të na dëftohet. Se Zoti është një, këtë mendja njerëzore e pati kuptuar e Zoti i qe dëftuar Abrahamit. E ne besojmë se Zoti është Një i vetëm; është një Zot i vetëm i Qiellit e i Tokës. Po nuk është vetmitar; Ai ka dashur të na dëftohet si Dashuri – Zoti është Dashuri – e Dashuria është marrëdhënie – relacion mes personave të gjallë. Atësia, Bijësia e Dashuria e dhuruar dhe e shkëmbyer, janë shprehje me të cilat ne belbëzojmë duke u shpreh mbi misterin Hyjnor që na përfshinë, që na bënë pjesëtarë të tij e në të cilin mister e adhurojmë: Zotin e vetëm, Dashuri, Ati, Biri, Shpirti.
Leximi i parë nga libri i Daljes na flet për mëshirën e pakufishme dhe përdëllimin e Zotit ndaj popullit të tij. Hiri që Moisiu i kërkon Zotit është vetëm prania e tij hyjnore në mesin e Izraelit. “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutëm, udhëto me ne”.
Në leximin e dytë marrë nga Letra e dytë e shën Palit drejtuar Korinstasve, Apostulli u përkujton korintianëve e neve se frytet e shenjtërisë e të shpëtimit shpirtëror janë meritë e e dhuratë e Krishtit. Mes tjerash Shën Pali thotë se kushti pse Zoti i paqes e shoqëron me praninë e tij Kishën është ushtrimi i dashurisë dhe i bamirësisë në gëzim. Leximi i dytë është një thirrje për të jetuar të gjithë në gëzim, në paqe e në dashuri, sipas imitimit të Trinisë Shenjte.
Pjesën e Ungjillit të kësaj së diele marrë nga Shën Gjon, nënvizon në fjalët që Jezusi i drejton Nikomedit – dashurinë e lartë të Atit Qiellor e vlerën shpëtimprurëse të veprës së Birit të Zotit, prej çka pastaj buron misioni shenjtërues i Shpirtit. Në Ungjill do të dëgjojmë se si Zoti e dëgjon, se si Zoti e vështron kërkesën për të qenë në mesin e popullit të vet me Mishërimin e Fjalës Hyjnore. Prania hyjnore shkakton e nxit drejtësi e gjykim, që nuk është dënim, por shpëtim për atë që beson në Të.
Vërtetë, e tërë jeta tokësore e Jezu Krishtit ka qenë shfaqje e misterit më të bukur , më të thellë e më të pashqyrtueshëm të Hyjit: e ky mister është Ati, Biri e Shpirti Shenjtë = Një natyrë e vetme Hyjnore në Tri vehtje ( në tre persona).
Leximet biblike të liturgjisë së këtij solemniteti pohojnë se Zoti është Trini Dashurie për t’u besuar, për t’u dëgjuar e për t’u pranuar në jetë. Zoti ynë është Zot “bashkësi” ; Ai do që ne ti bashkohemi Atij e në të njëjtën kohë na thërret të jemi në bashkim edhe me të gjithë vëllezërit e të afërmit tanë në jetën e përditshme tokësore, në shtegtimit tonë drejt qiellit.
Hyjit Atë nuk është larg nesh: përmes Pagëzimit, Hyji Trini vjen në ne, që ne të bëhemi tempull i gjallë i pranisë së Tij në kohë e në histori. Kështu pra, detyra e misioni ynë si besimtarë është ta lavdërojmë Atin, Birin e Shpirtin Shenjtë me lutje e sidomos ta dëshmojmë me vepra të mira, me vepra drejtësie, dashurie e të vërteta.
Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezusin, dhe Shpirtin Shenjtë shenjtërues për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij Hyjnore.
Hyji Atë bashkë me të Birin e Tij Jezus Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjtë, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Ai na ka zbuluar këtë mister përmes Jezus Krishtit, e ne besojmë dhe e dëshmojmë fenë tonë në Hyjin e vërtetë dhe të përjetshëm, rrëfejmë Njëninë e Natyrës e Barazinë e madhërisë së Trinisë Hyjnore.
Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmës Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.
Kisha na mëson që nga fëmijëria të fillojmë çdo ditë, të nisim çdo vepër, çdo punë me shenjën e kryqit, që do të thotë të fillojmë dhe të mbarojmë gjithçka në Emër të Shenjtënueshmës Trini.
Me shenjën e kryqit përkujtojmë misterin e Njësisë e Trinisë së Hyjit, dhe misterin e mundimeve, të vdekjes e ngjalljes së Jezusit Zot.
Edhe kremtimi më solemn liturgjik, që është kremtimi i Meshës shenjte, Eukaristisë, fillon në emër të Shenjtënueshmës Trini Hyjnore. Meshtari u drejtohet besimtarëve me këto fjalë: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht, dashuria e Hyjit Atë dhe bashkimi i Shpirtit Shenjtë “(qofshin përherë me ju, me ne).
Festa e kësaj së diele e Trinisë Shenjte, është kremtimi liturgjik që meriton të konsiderohet absolutisht si festa më e rëndësishme ndër të gjitha festat tjera.
Për besimtarët, e vetmja festë qiellore është adhurimi i Trinisë Shenjte nga ana e engjëjve dhe shenjtërve, në një Hosana të përhershëm këngësh e lavdesh.
Trinia është në ne
Jezusi tha: “Unë jam në Atin e Ati është në mua”. Edhe ne mund të themi: “Unë jam në Trininë e Trinia është në mua”. Në të vërtetë ne jemi Tempull i Zotit.
“Kush më do – tha Jezusi – unë dhe Ati im do të vijmë tek ai e të hamë darkë me të”, e do të vendosim banesën e përhershme tek ai.
Babai i Origjenit (teologut të lashtë kishtar) gjunjëzohej para fëmijës së vet dhe në të e adhuronte të Shenjtënueshmen Trini.
“Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëllimit tonë, të ngjashëm me ne”, thotë Zoti në momentin e krijimit të Adamit.
Në të gjithë prindërit e botës ekziston dëshira për të parë në fytyrën e fëmijëve tiparet e veta. Mirëpo ne nuk jemi shëmbëllim – imazhi i Zotit për tiparet “fizike” që kemi – për kokën, duart e këmbët – sepse Zoti nuk ka trup.
Secili është i krijuar në shëmbëllim të Zotit sepse është i pajisur me inteligjencë, me mendje, me vullnet, me shpirt.
Por më shumë se njeriu si individ, është familja ajo që i pasqyron tiparet trinitare: babai, nëna, fëmija: janë tre persona të ndryshëm, e megjithatë janë një familje e vetme, një gjë e vetme në dashuri. Zoti, në të vërtetë, është Familje, është Dashuri.
O Zot, Ti je Dashuria, e Vërteta e Jeta. Urtia e Zotit, e zbuluar, e dëftuar në Jezusin i tregon njeriut të vërtetën mbi vetveten dhe rrugën për arritur deri tek Ti.
Çdo i krishterë është i thirrur ta përjetojë, ta shijojë këtë përvojë pajtimi me Zotin, në Jezusin, ta njohë vetveten në fytyrën e Zotit bërë njeri e ta jetojë në fe dashurinë e Zotit për ne.
Më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të festës së Trinisë Shenjte mund të dëgjoni edhe këtu....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.