2011-06-18 10:22:58

Atë Federiko Lombardi: Papa meshtar që prej 60 vjetësh


Të premten në mbrëmje, Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan u mbush përplot me besimtarë në lutje për Papën e papninë e tij, në prag të 60-vjetorit të meshtarisë së Benediktit XVI, që do të kremtohet më 29 qershor. E organizuar nga Lëvizja për Dashurinë Familjare, për t’i shfaqur Atit të Shenjtë dashurinë, vlerësimin dhe afërsinë e besimtarëve, lutja u kryesua nga vikari i përgjithshëm i Qytet-Shtetit të Vatikanit, kardinali Anxhelo Komastri. Editoriali i sotëm i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardit, i kushtohet pikërisht kësaj feste për 60 vjetët e meshtarisë së Benediktit XVI. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
“Më 29 qershor është 60-vjetori i shugurimit meshtarak të Atit të Shenjtë. E gjithë Kisha po përgatitet me gëzim. Konferencat Ipeshkvnore, të nxitura nga Kongregata për Klerin, i ftojnë besimtarët në kremtime për të falenderuar e për t’iu lutur Zotit për thirrjet meshtarake. Këto kremtime kanë në qendër sidomos adhurimin eukaristik, për t’i kërkuar Zotit të vreshtit të dërgojë punëtorë të rinj në kopshtin e vet.
Jeta e Benediktit XVI është vërtet tërësisht meshtarake. Dëgjon thirrjen në moshë shumë të re, ndërpret formimin në seminar vetëm për shkak të përvojës dramatike të luftës, shugurohet 24 vjeç së bashku me vëllain e madh dhe me një grup të madh të rinjsh, të farkëtuar me besnikëri ndaj Zotit e Kishës. Merrnin shembull nga modele si i riu meshtar Alojs Andritzki, vrarë 31 vjeç në Dakau në vitin 1943 dhe shpallur i Lum vetëm pak ditë më parë. Në fillim të internimit të tij, i Lumi i ri qe betuar: “Nuk do ta harrojmë për asnjë çast meshtarinë tonë”.
Papa Benedikti XVI na ka dhuruar reflektime e fjalë sublime mbi meshtarinë, ashtu si një vit më parë në përfundim të Vitit Meshtarak. Kuptohet menjëherë se ato lindin nga thellësitë e përvojës së tij personale të hirit hyjnor, marrë e kultivuar me besnikëri. Po kujtojmë këtu vetëm njërën: “Ky guxim i Zotit, që u beson njerëzve vetveten; që, megjithëse i njeh dobësitë tona, i konsideron njerëzit të aftë të veprojnë e të jenë të pranishëm në vend të Tij – ky guxim i Zotit është madhëstia, që fshihet në fjalën “meshtari””.
Bashkohemi shpirtërisht me lutjen e Papës, duke kërkuar që shembulli i përvujtërisë dhe i besnikërisë së tij plot gëzim në shërbimin e këtij Zoti guximtar të nxisë lindjen e thirrjeve të reja, si edhe të ndikojë në shenjtërimin e të gjithë meshtarëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.