2011-06-17 15:54:23

Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut miraton Konventën mbi punën shtëpiake. Imzot Tomazi:duhet mbrojtur edhe ai, që kryen detyra ‘të padukshme’.


Me rastin e Konferencës së 10-të ndërkombëtare të punës, në Gjenevë, Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut miratoi dje, me shumicë votash, Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e punonjësve të punës shtëpiake. U miratuan edhe udhëzimet, që krijojnë kushte për t’i vënë menjëherë në jetë disa nga pikat e Konventës.
Folëm me kryeipeshkvin Silvano Maria Tomazi, nga Gjeneva, në mikrofonin tonë:.......RealAudioMP3

Përgjigje: - U arrit qëllimi i një etape shumë të rëndësishme; duke pasur parasysh se në Organizatën ndërkombëtare të punës, diskutimi për mbrojtjen e posaçme të punonjësve shtëpiakë ka nisur që nga vitet ’60. Gjatë punimeve u theksua në mënyrë të posaçme se këta punonjës duhen parë si kategori punëtorësh ‘të padukshëm’, sepse punojnë brenda katër mureve të shtëpisë. E kështu janë edhe sot e kësaj dite. Kjo kategori, shumica gra e, gjithnjë më shpesh, emigrante, ardhur nga vende të ndryshme për t’u shërbyer, në familje, të moshuarve e fëmijëve, nuk ka pasur kurrë bashkime profesionale, as ndonjë formë tjetër për mbrojtjen në punë.

Pyetje: - Cilat janë porositë kryesore, që u drejtohen qeverive tani, mbas miratimit të Konventës?

Përgjigje: - Të studiojnë kushtet, që puna të jetë e përshtatshme, e pranueshme. Të japin lirinë për formimin e bashkimeve profesionale në ndihmë të këtyre njerëzve. Të ngulmojnë për sigurimin e pagave të drejta e pa dallime. Posaçërisht, të mbrojnë normat e Konventës së re, duke vënë në plan të parë vëmendjen për të miturit, sidomos për vajzat e mitura, të cilat në disa vende përdoren, për të mos thënë keqpërdoren, në punë shtëpiake. Duhen krijuar kushtet që këto vajza, t’i gëzojnë të gjitha të drejtat në banesën ku strehohen; të kenë të drejtë të dalin, kur nuk punojnë, të pushojnë një ditë në javë, të punojnë me orar të caktuar. Është fjala për një sërë masash, normash e të drejtash: një hap shumë pozitiv përpara në mbrojtjen e kësaj kategorie njerëzish që, sipas statistikave, kapen në rreth 100 milion vetë.

Pyetje: - Pas impenjimit tuaj, Shkëlqesi, duket edhe puna e shumë katolikëve, që u përpoqën për realizimin e këtij dokumenti...
Përgjigje: - Në të vërtetë, grupe si Veprimi katolik ndërkombëtar për emigracionin, Lidhja për punonjësit shtëpiakë në Indi, Vepra ndërkombëtare Kolping e shumë organizata me frymë katolike, kanë punuar me këmbëngulje për të arritur këtë sukses. E do të vijojnë të punojnë, sepse Konventa e re duhet ratifikuar në vende të ndryshme të botës, për të folur, pastaj, për sukses të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.