2011-06-17 18:08:53

Ipeshkvinjtë evropianë, në Vilnius, flasin për komunikimin e ungjillëzimin. Takimi i ardhshëm, në Tiranë!


“Të krijohet një komunikim, që i jep gjallëri të re jetës shpirtërore dhe përkatësisë kishtare”, në jetën e sotme, plot me ritme të nxituara e stres. Kjo është sfida kryesore, rreth së cilës po diskutojnë Konferencat Ipeshkvnore të Evropës në takimin kushtuar komunikimit në Kishë dhe ungjillëzimit të ri, që u hap dje në Vilnius të Lituanisë. Për herë të parë sekretarët e përgjithshëm dhe zëdhënësit e Konferencave ipeshkvnore të Evropës, po e përqendrojnë vëmendjen mbi aspektet e veçanta të ungjillëzimit të ri e mbi mënyrën si duhet organizuar komunikimi. Përveç tematikave të tjera, në qendër të punimeve, është lidhja ndërmjet kulturës dhe cilësisë së fesë, për krijimin një Kishe në lëvizje. Parashikohen dy takime të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane: një, ky i sekretarëve të përgjithshëm, që do të përfundojë më 19 qershor; tjetri, i përgjegjësve për shtypin e komunikimin pranë Konferencave ipeshkvnore, nga 18 deri më 21 qershor. Do të paraqiten edhe veprimtaritë e Ccee-së (Këshilli i Konferencave Episkopale Evropiane) dhe të COMECE (Episkopatet e Bashkimit Evropian)- si dhe nismat e ardhshme, në të cilat do të marrin pjesë Konferencat ipeshkvnore, si Dita Botërore e Rinisë (në Madrid të Spanjës, nga 16 deri më 21 gusht 2011); Takimi Botëror i Familjeve (në Milano, nga 29 maj deri më 3 qershor 2012) dhe Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar (në Dublin të Irlandës, nga 10 deri më 17 qershor 2012).







All the contents on this site are copyrighted ©.