2011-06-16 13:52:27

Çelësi i fjalëve të Kishës: "idhujtaria"


Të dashur dëgjues mbërritëm në emisionin e 100-të të rubrikës sonë. Kësaj radhe nisemi nga fjalët e djeshme të Papës, i cili ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme Elisë profet. Benedikti XVI kujtoi se në kohën kur Izraeli po i nënshtrohej joshjeve të idhujtarisë, Elia e vuri popullin e vet përballë së vërtetës, duke e rikthyer, kështu, në rrugën e shpëtimit. E kjo - vërejti Ati i Shenjtë – na kujton se edhe sot, atje ku Zoti zhduket, njeriu bëhet skllav i ideologjive, rob i nihilizmit. Por ç’është “idhujtaria”? Kjo është fjala, që do të shpjegojmë sot.

Lufta kundër idhujtarisë është një nga temat kryesore të Besëlidhjes së Vjetër. Aty, idhulli përcaktohet me një sërë fjalësh hebraike, që mund të përkthehen në mënyra vërtet të çuditshme. Kuptimi i tyre është “imazh” apo “figurë” (e gdhendur ose e derdhur), por edhe “mburrje”, “qenie të pafuqishme”, “gjëra të turpshme”, “bajga”. Në 10 Urdhërimet e Tënzot tingëllon fuqishëm i pari: “Mos ki tjetër Zot përveç meje. Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi” (Dal 20,3-4), sepse i vetmi “imazh” i ligjshëm i Zotit është krijesa njerëzore e gjallë, mashkull e femër (Zan 1,27).
Megjithatë, Izraeli, sapo mori 10 Urdhërimet e Tënzot, nuk i respektoi. Të gjithë e kujtojmë skenën simbolike të viçit të artë, që do të duket edhe më vonë me mbretin Jeroboami I (1 Mbr 12,28). Viçi, i zgjedhur si idhull nga izraelitët, e reduktonte Zotin në një hyjni të ngjashme me Baalin, zotin e kananejve, banorëve të Tokës Shenjte, të cilët e adhuronin si burim pjellorie për fushat, njerëzit e kafshët. E, ashtu siç përmendi edhe Papa dje, e paharrueshme është sfida ndërmjet Zotit të gjallë e këtij zoti të pafrytshëm, paraqitur nga Elia profet në malin Karmel (1 Mbr 18).
Pikërisht profetët janë ata, që e denonconin vazhdimisht idhujtarinë në të gjitha format e saj, duke na lënë faqe plot përbuzje e ironi. Mund të lexohet për këtë kapitulli 44 i Librit të Isaisë profet, ose kapitulli 10 i Librit të Jeremisë profet. Në bazën e të dyja pjesëve e, edhe në psalmet 115 e 135, qëndron bindja se idhulli është pa jetë, është vepër e duarve të njeriut, përballë “personalitetit” të Zotit të gjallë, që paraqitet si diçka krejt tjetër. Bukur e përshkruan psalmi 115: “Hyji ynë është në qiell, ai bën gjithçka i pëlqen. Idhujt e paganëve janë argjend e ar – prodhim i dorës së njeriut. Gojë kanë e nuk flasin, sy kanë e nuk shohin, veshë kanë e nuk dëgjojnë, hundë kanë e nuk nuhasin. Duar kanë e nuk prekin, këmbë kanë e nuk ecin, zë nuk qesin prej gurmazit të tyre! Të tillë qofshin edhe ata që i punojnë, të gjithë ata që shpresojnë në ta!” (Ps 115,3-8).
Në Librin e Urtisë, shkruar në prag të epokës së krishterë, përvijohet një traktat i vërtetë kundër idhujtarisë, që në kapitujt 13-15 rreshton shtatë lloj adhurimesh të rreme, njëri më i rëndë se tjetri: nderimi i yjeve, idhujtaria private, ajo e lundruesve, idhujtaria funebre e ajo perandorake, ekziston madje, edhe adhurimi i idhujve, që mbështetet nga tregu, me bindjen se “nga gjithkah duhet të nxirret përfitim, edhe prej së keqes” (15,12) e së fundi, zoolatria, të cilën autori, banor i Egjiptit, ku adhuroheshin disa lloj kafshësh, e vendos në majën e listës së idhujtarisë së rremë.
Në Besëlidhjen e Re, kjo temë është anësore, pasi krejt vëmendja përqendrohet në figurën e Krishtit. Megjithatë, Shën Pali Apostull, që dënon për shembull, kopracinë si idhujtari (1 Kol 3,5), merret me çështjen e atyre të krishterëve, që janë të detyruar të marrin pjesë, së bashku me familjarët e tyre paganë, në festat ku hahej mishi i flijuar idhujve (1 Kor 8-10). Apostulli i këshillon të krishterët të veprojnë si t’ua thotë mendja, por me bindjen se “idhujt nuk janë asgjë”. Pra, ata mund të merrnin pjesë në gostinë familjare, por duhet të kishin edhe kujdes të mos shkandullonin vëllezërit në fe, pra të krishterët e tjerë që mund t’i shihnin. Në atë rast, duhej të largoheshin nga tryeza, pikërisht për të mos shkaktuar çudi e për të mos zgjuar përbuzje tek të tjerët, me vetëdijen se idhujtaria ka edhe një aspekt djallëzor.








All the contents on this site are copyrighted ©.