2011-06-16 11:45:11

Më 16 qershor kalendari Kishtar përkujton shenjtorët Julita e Kuiriku, nënë e bir, martirë


Më 16 qershor kalendari kishtar përkujton shën Kuirikun e shën Gjulitën (Julitën,Gjuditën), martirë. Gjulita e Kuiriku, nënë e bir, janë dy figura që lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën.
Kuiriku është një ndër fëmijët e pafajshëm që mbyti Herodi në Betlehem, duke dashur të zhdukte Krishtin Fëmijë. Kur nisi masakra kundër foshnjave të pafajshme me urdhër të Herdoit, Julita (Gjulita), vejushë e re, e bukur dhe shumë e pasur, për ta shpëtuar të birin e vetëm që kishte, Kuirikun, iku nga Betlehemi. Por u kap në afërsi të Tarsit dhe iu nënshtrua torturave më mizore, për të mohuar Krishtin Zot. Për këtë kriminelët herodianë përdoren të birin: e kapën foshnjën nga njëra këmbë dhe e mbajtën pezull, në pritje që e ëma të mohonte fenë e krishterë. Por me që ajo vijoi ta pohonte pa asnjë lëkundje, e lëshuan foshnjën, që ra përdhé tek këmbët e Julitës me kokën e coptuar. Trutë e birit të vetëm spërkatën petkat e nënës, së cilës më pas iu pré koka.

Kuiriku është një nga martirët më të njohur të lashtësisë së krishterë, kulti i të cilit u përhap kudo. E dëshmojnë këtë kishat që iu kushtuan në Siri, Palestinë, Ponto, Itali, Francë, Spanjë e vise të tjera. Devocioni për Nënën e Birin është shumë i përhapur në kishat sllave të traditës bizantine. Ikonografia i paraqet gjithnjë së bashku.

Po kujtojmë referimin ungjillor që njofton rreth vrasjes së fëmijëve të pafajshëm nga Herodi, sipas njoftimit të Shën Mateut, ungjilltar në kreun 2,16-18.
Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e mashtruan, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë . sipas kohës që me kujdes e mori vesh nga Dijetarët.
Atëherë u plotësua fjala e Jeremisë profetit që thotë:
``Në Ramë u dëgjua një klithmë, vaj e gjëmë e madhe; vajton Rakela fëmijët e vet dhe nuk do të pajtohet - sepse ata nuk i ka më!``.







All the contents on this site are copyrighted ©.