2011-06-15 14:59:52

Në Vatikan, mbledhja plenare e Komisionit Dypalësh të Përhershëm të Punës Seli e Shenjtë-Izrael


U mbajt dje, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, sesioni plenar i takimit të Komisionit Dypalësh të Përhershëm të Punës Seli e Shenjtë-Izrael. Qëllimi: të vijojnë bisedimet mbi bazën e nenit 10 – paragrafi 2 - të “Marrëveshjes Themelore (Fundamental Agreement), për problemet ekonomike e fiskale. Takimin e kryesoi imzot Ettore Balestrero, zëvendës-sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe zëvendës-ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Danny Ayalon, kryetar delegacioni. Bisedimet - njofton një notë zyrtare - u zhvilluan në një atmosferë të ngrohtë, miqësore, konstruktive, duke shënuar hapa domethënëse përpara. Palët – saktësohet në notë - përcaktuan bisedimet, që duhen bërë, për të arritur në përfundimin e marrëveshjes. Takimi i ardhshëm plenar do të mbahet më 1 dhjetor 2011 pranë Ministrisë së Jashtme izraelite.
Ndërmjet personaliteteve të delegacionit të Selisë së Shenjtë, kryesuar nga imzot Balestrero, ishin të pranishëm edhe kryeipeshkvi Antonio Franko, nunc apostolik dhe imzot Gjaçinto-Bulos Markuco, mëkëmbës i Patriarkatit Latin për Izraelin. Delegacioni i Izraelit, kryesuar nga zoti Ayalon, përbëhej edhe nga disa personalitete të tjera, si kreu i Zyrës për Çështjet hebreje e ndërfetare në botë, Shmuel Ben-Shmuel dhe ambasadori i Izraelit pranë Selisë Apostolike, Mordekai Levi.







All the contents on this site are copyrighted ©.