2011-06-15 17:11:58

Marrëveshje për bashkimin e palestinezëve: qeveria e ardhshme me Al Fatahun e Hamasin


Palestinezët përgatiten të formojnë një qeveri të përbashkët, ku të marrin pjesë dy partitë, deri tani kundërshtare. Përfaqësuesit e Al Fatahut dhe të Hamasit, të mbledhur dje në Kajro të Egjiptit, vendosën që më 21 qershor, presidenti palestinez Mahmud Abas të takohet me kreun e Hamasit, Khaled Meshaal për të përcaktuar mënyrën e formimit të qeverisë së re të bashkimit kombëtar. Por cilat janë vështirësitë e këtij procesi? Pyetëm profesoreshën italiane të marrëdhënieve ndërkombëtare, eksperte e Lindjes së Mesme, Maria Gracia Enardu:
Vështirë të gjendet emri i kryeministrit, pasi në parim, janë të gjithë dakord, përfshirë edhe egjiptianët, që e mbështetën fuqimisht këtë nismë. Por, në praktikë, Hamasi nuk dëshiron të konfirmohet kryeministri Salam Fajad, të cilin e konsideron tepër perëndimor, megjithëse Fajad ka dhënë prova për besnikërinë e vet e është garant për ndihmat që vijnë nga Perëndimi. Duhet parë nëse Hamasi do të heqë dorë nga kjo kërkesë, apo nëse Fajadit do t’i gjendet një rol, që t’i kënaqë të gjithë.
Një qeveri e vetme palestineze është më e besueshme në nivel ndërkombëtar, por edhe në bisedimet me Izraelin, apo jo?
Paraqitja në frontin ndërkombëtar me një zë të vetëm është vendimtare: si në bisedimet me Izraelin – nëse rifillojnë – pasi Tel Avivi nuk do të mund të shfrytëzojë më ndarjet e palestinezëve, ashtu edhe në frontin ndërkombëtar, sidomos përpara mbledhjes së shtatorit në OKB. Sidoqë të shkojë puna në OKB, nëse palestinezët paraqiten me një zë të vetëm do të konsiderohen më të besueshëm edhe më pas.
Në këtë qeveri të përbashkët, a do të ndryshojë roli i Hamasit?
Hamasi konsiderohet prej kohësh organizatë terroriste, duke harruar se është organizatë politike, e cila e ka praktikuar edhe terrorizmin, por kjo mund të thuhet për shumë parti nëpër botë. Në këtë fazë, ai mund të marrë karakter vetëm politik. Do të ketë vështirësi në kontrollin e fraksioneve ekstremiste, por zakonisht ka treguar se e ka në dorë territorin, ku vepron.
Duket se para kësaj marrëveshjeje, Izraeli mbyllet në vetvete. Pse?
Ngaqë është e qartë se në Izrael janë ngritur shumë zëra për fillimin e një procesi të vërtetë për paqen, por, fatkeqësisht, Netanijahu është kryeministri i një koalicioni të djathtë, të së djathtës ekstreme, që mund të shkatërrohet përfundimisht me shenjën e parë të lëshimit. Ai e di këtë dhe e mbron rolin e vet, por kjo rrezikon të flijojë interesat e përgjithshme të një vendi, që do të ishte i kënaqur edhe me ndonjë zgjidhje tjetër.







All the contents on this site are copyrighted ©.