2011-06-15 17:00:24

Grevë e re e përgjithshme në Greqi


Asnjë marrëveshje ndërmjet ministrave evropianë të financave, që dje u mblodhën në Bruksel për të diskutuar për krizën greke e për ndihmat e reja në favor të Athinës. Ndërkaq, sot, vendi u ndal për një grevë tjetër të përgjithshme 24 orëshe, kundër masave të rrepta, marrë nga qeveria për të dalë nga kriza.
Bankat, shkollat, zyrat e shërbimet publike janë mbyllur, ndërsa spitalet punojnë vetëm për emergjencat. Parlamenti duhet të miratojë një plan prej 28 miliard eurosh për reduktimin e shpenzimeve, ku përfshihet edhe rritja e taksave deri në vitin 2015. Këto masa përbëjnë kusht të nevojshëm, që Athinës t’i arrijë kredia ndërkombëtare prej 110 miliard dollarësh, e cila duhet të shpëtojë ekonominë greke. Gjithashtu, qeveria ka ndërmend të fillojë një program privatizimi prej 50 miliard eurosh.
Por pikërisht para parlamentit, ka pasur përleshje ndërmjet demonstruesve dhe policisë, e cila ka përdorur gazin lotsjellës. Manifestuesit formuan një zinxhir njerëzor për të penguar hyrjen e deputetëve në institucion.







All the contents on this site are copyrighted ©.