2011-06-15 17:00:15

10 mijë refugjatë sirianë në Turqi


Merr gjithnjë e më shumë karakteristikat e masakrës me përmasa të papara, shtypja e regjimit sirian kundër civilëve, që akuzohen si kryengritës. Dje, akoma dhjetë viktima në kufi me Turqinë, ku refugjatët kanë arritur në 10 mijë vetë. Ndërkaq, rezoluta e paraqitur dje nga evropianët në OKB, për të dënuar dhunën e regjimit të Bashar Al Asadit, shkakton mosmarrëveshje ndërmjet anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Rusia dhe Kina kërcënojnë se do të vendosin veton kundër saj.
Sot, mijëra përkrahës të regjimit manifestuan në rrugët e Damaskut, duke mbajtur një flamur gjigant prej 2300 metrash. Televizioni shtetëror e transmetoi të plotë manifestimin, duke dhënë edhe lajmin për një varr të përbashkët, ku janë gjetur policë të gjymtuar. Natyrisht, akuzohen protestuesit, të cilët quhen “banda të armatosura” nga qeveria e Damaskut. Në veriperëndim të vendit, ushtria mban të rrethuara qytetet rebele, duke mos e lejuar popullsinë civile të dalë. Edhe në lindjen e pasur me naftë, regjimi ka dërguar trupa e tanke në kufi me Irakun, ku javën e kaluar, mijëra vetë protestuan kundër presidentit al-Asad.







All the contents on this site are copyrighted ©.