2011-06-13 14:04:26

Shën Antoni i Padovës meshtar e doktor i Kishës, një shenjtë universal


Më 13 qershor kalendari Kishtar përkujton shën Antonin e Padovës. Nderimi ndaj shën Antonit të Padovës i kalon qarqet e Kishës katolike e shkon shumë më gjerë. Figura e vepra e tij kanë zgjuar interesim përpos tek katolikët edhe ndër ortodoks, budistë e mysliman. Prandaj me të drejtë quhet shenjt universal – shenjti i botës. Shën Antoni apo shëna Ndou i Padovës ishte njeri i palodhshëm në vreshtin e Zotit. Jeta e tij ishte shërbim ndaj vëllait njeri pa dallim, prandaj ishte i pranuar dhe i dashur nga të gjithë pa dallim.
Jeta e tij

Shën Antoni lindi në Lisbonë të Portugalisë në vitin 1195. E pagëzojnë me emrin Fernando Martins. Deri sa i mbushi pesëmbëdhjetë vjet ndoqi shkollën e katedrales. Dallohet si nxënës i talentuar dhe deri sa mësonte mbi të vërtetat e fesë së krishterë, Fernando do të përfitoj edhe në lëmi tjera si në gramatikë, retorikë, muzikë dhe aritmetikë. Si pesëmbëdhjetë vjeçar hyn në kuvendin e Shën Vinçencit (murgj të rregullt të shën Agostinit) pak kilometra larg Lisbonës. Ishte kjo mundësia e vetme të thellohej në studime por edhe rast i mirë për ta zbuluar bukurinë e jetës fetare sipas Rregullës agostiniane: “jeta në bashkësi rregulltare sipas shembullit të bashkësisë së parë të krishterë, ku murgjit duan të jenë një zemër dhe shpirt i vetëm, e pastaj me këtë shpirt dalin jashtë kuvendit për të ndërtuar Kishën e Krishtit”. Fernando kishte mësues të shkëlqyeshëm, e gjatë studimeve të afërmit e tij shkonin shpesh për ta vizituar. Kjo gjë fillon ta pengoj sepse shqetësohej në studime, dhe mu për këtë, kërkon të transferohet në kuvendin Shëna Kryqit në Coimbra, 175 kilometra larg Listonit. Përndryshe, ky kuvend agostinian ishte i dalluar dhe shumë i njohur si për shenjtëri ashtu për shkencë. Këtu Fernando u përkushtohet krejtësisht studimeve filozofike, teologjike dhe lutjes. Mirëpo, për fat të keq, kishte kohë që kjo bashkësi në këtë kuvend ishte ndarë në një pjesë e cila ishte besnike ndaj papëve, ndërsa pjesa tjetër mbështetej prej mbretit të Portugalisë. Pas përfundimit të studimeve Fernando shugurohet meshtar.

Në këto rrethana të dhimbshme Fernando do të njihet me fretërit e Shën Françeskut të Asizit, të cilët banonin në kuvendin e shën Antonit të Ullinjve afër kuvendit të tij. Gjëja e parë që i bie në sy murgut agostinian (Fernandos) tek vëllezërit françeskan është veshja e tyre e thjeshtë por edhe mënyra e predikimit të Fjalës së Zotit. Edhe më tepër do ti bëj përshtypje kur dëgjon për kthimin në Coimbra të pesë trupave të pajetë të françeskanëve të martirizuar prej myslimanëve në Marok.
Pas disa këshillimeve me eprorët e vet Fernando e merr lejen dhe kërkon të bëhet françeskan. Kalimi i tij pranë françeskanëve dhe veshja e zhgunit do të bëhet në verën e vitit 1220.
Tashmë, frati i ri françeskan, kishte përqafuar karizmën e shën Françeskut të Asizit. Kushtet e tyre: Varfëria, pastërtia dhe dëgjesa por edhe jeta në bashkësi ishin një dritë e re për Fernandon që të qoj në vend edhe ëndrrën ungjillore të shën Agostinit: “Të jenë vërtet një shpirt i vetëm”.
Në këtë periudhë dëshira e shën Françeskut ishte të ungjillëzoj tokat ku jetonin myslimanët, e kështu, edhe françeskani Atë Antoni i ri përgatitet të niset për Marok. Niset në vjeshtë të vitit të ardhshëm, por aty nuk do të qëndroj gjatë sepse sëmurët rëndë dhe e nisin për në vendlindjen e tij.
Anija e cila në pamundësi të lundroj drejt Portugalisë prej stuhive të mëdha do të hasë në brigjet e Sicilisë. Kështu, shën Antoni niset drejt Asizit, vendit ku shën Françesku ishte duke bërë përgatitjet e mbajtjes së Kapitullit duke i bashkuar rreth vetes fretërit, dhe këtu do të jetë takimi i parë i tyre. Ky do të jetë rasti i mirë që të takohen dy fytyrat e mëdha të Rregullit Françeskan: shën Antonit dhe themeluesit të françeskanëve - shën Françeskut të Asizit.
Jeta e shën Antonit kalonte në heshtje deri sa në një rast i´u lutën të mbajë një fjalim para bashkësisë françeskane dhe dominikane të bashkuar në një kuvend në Forlì.
Këtu zbulohet talenti i tij si orator apo predikatar. Më pas jetën i’a kushton predikimit të Fjalës së Zotit, dhe në të njëjtën kohë emërohet profesor i teologjisë.
Më vonë në një letër të cilën shën Antoni e merr prej shën Françeskut shkruan: “Atë Antonit, ipeshkvit tim, Atë Françesku, përshëndetje. Dëshiroj që t’iu mësosh teologjinë shenjte fretërve...” Fra Antoni u mësonte vëllezërve françeskanë teologjinë që kishte mësuar vet. Ishte ajo teologjia biblike e cila privilegjonte meditimin e Fjalës së Zotit duke e pasuruar me komentet e etërve të Kishës.
Sipas mësimit të atë Antonit, jo vetëm jeta e një françeskani, por edhe jeta e secilit të krishterë duhej të kishte për model ligjin e dashurisë të Shenjtunueshmes Trini edhe atë në dy drejtime: Ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit. Ai ishte mbrojtës i të varfërve dhe shërbëtor i tyre sipas shembullit të Jezus Krishtit.
Përndryshe, shën Antoni ishte i lartë, kishte nje zë të mrekullueshëm, saqë, predikimet e tij bënin që kishat të ishin të vogla për të gjithë të interesuarit që vinin ta dëgjonin. Edhe mëkatarët vinin tek ai, dhe në gjunjë e dëshmonin se ky njeri i madh e meriton shenjtërinë.
Në një rast, Papa Gregori IX e dërgon në Kapitullin gjeneral të françeskanëve të vitit 1226 që të jep përgjigje në disa ndryshime të mundshme të Rregullit, dhe e quan “Arka e Besëlidhjes” për shkak të njohjes së mirë të Shkrimit Shenjt, Biblës. Edhe më vonë, shën Antonin e shohim si predikatar në Francë ku themelon një kuvend në Brive-la-Gaillarde. Aty është një shpellë për të cilën thuhet se ka banuar shëna Ndou. Më pas vendoset në Padovë.
Më 1231 ndihet pak i lodhur dhe për pak kohë tërhiqet në Camposampiero, në një vend malor për ushtrime shpirtërore për tu kthyer përsëri në Padovë. Vdes në Padovë më 13 qershor 1231 në moshën 36 vjeçare.
Papa Gregori i IX e shpall shenjtë një vit pas vdekjes së tij. Në vitin 1263 shën Bonaventura pas një verifikimi në trupin e tij të vdekur, e gjen gjuhën e shenjtit të paprishur. Më 1946 Piu i XII e shpall mësues të Kishës, Doktor ungjillor – Doctor evangelicus.
Trupin e tij padovasit e mbajnë si një thesar të çmueshëm para të cilit vijnë dhe përkulen njerëz të të gjithë popujve.
Që nga shekulli i XV, e jo më parë, truporja e shën Antonin paraqitet me Krishtin Fëmijë në dorë. Sipas një legjende, një mysafir i tij, fshehurazi përmes dritares e kishte parë shenjtin në atë pozitë (me Krishtin ne dorë). Monumentet e para ikonografike e paraqesin me libër në dorë ose me një zambak, për të shënuar se sa mirë e njihte Shkrimin Shenjt, Biblën. Shumë herë e prezantojnë edhe me një mushk, në kujtim të një legjende tjetër sipas së cilës, për t’i bindur disa heretik mbi praninë reale të Krishtit në të Shenjtënueshmin Sakrament të Eukaristisë, edhe mushku mrekullisht përkulet para Hostjes Shenjte.
Shën Antoni është pajtorë i të varfërve. Në mbarë botën mblidhet lëmoshë – e ashtuquajtura “Buka e shëna Ndout”. Përndryshe askush nuk e ka shpjeguar ndërmjetësinë e këtij shenjti për gjësendet e humbura. Në Cronica XXIV Generalium, nr. 21 bëhet një referim se si një seminarist ia merr librin e lutjeve shenjtit. Pas lutjes së këtij shenjti që ti kthehet ky libër kthehet seminaristi duke ia sjell librin aq të dashur.
Edhe në popullin shqiptar shën Antoni i Padovës gëzon nderim të madh. Po ajo që është e rëndësishme, është pikërisht të konsiderohet e të merret si shembull jeta e tij. Të jemi edhe ne si shën Antoni të përkushtuar ndaj Fjalës së Zotit e cila është burim dhe ushqim shpirtëror, e pastaj, të zbatojmë në jetën tonë të përditshme mësimin e tij mbi ligjin e dashurisë së Trinisë Shenjte. Dashurinë ndaj Zotit dhe të afërmit. Mbi të gjitha kujdesinë për të varfërit dhe përkrahjen e të gjithëve që janë në kujdes ndaj tyre. Shën Antoni nuk ka qenë vetëm njeri i madh për Hyjin, por edhe njeri i madh për njerëzit e varfër, madje edhe politikan i kohës së vet. Gjëja më e madhe tek Antoni ishte gatishmëria për t’i shërbyer të gjithëve pa kurrfarë interesi, për të dhuruar vetveten, për të dhënë gjithçka me dashuri të madhe, në emër të Zotit, pa pritur kurrfarë shpërblimi.
SHNA NDOU I PADOVËS
Në lypë, o nieri mrekulli
si n’idhnim si në zor, si në dekë,
të kqijat zhduken gjith unji
i shndoshtë kjosh a fill tue hjekë.
(kthesa) O i mrekullueshmi Shejti Shna Ndue,
ty qielli e toka asht tue të nderue.
Na nder kambë tua sod të kemi ra
dhe na po të lut’mi ndihmë me na u bâ.
Djalli rrebtë me shumë duhi,
E gërbula në shum ezgjet,
zhduken shpejt, emnin tue ndî
e Shna Ndout kur kush e thrret. (kthesa).
Fashitë deti me tallaze,
Zgidhen robët në robní shtërngue:
paqja bje, s’rri mâ në maraze
njeri jet kryekput i gëzue. (kthesa)
Gja në të pasët hupë për ta gjetë ké,
e burrë në kjosh a plak a i ri:
zor, rrezik, çka të keshë mbi dhé
me u zhdukë ka, veç n’ emën të ti. (kthesa).
Padovanët pa prâ diftojnë
gjith kto punë që bajnë vaki,
nji mbas tjetrit i kallzojnë
nderim shejtit tue i përtrî. (kthesa).
Atit të madh i kjoftë lumni,
që me Birin bashkë sundoftë,
e me Shpirtin gjith Shejtní
të treve bashkë lumni u kjoftë. (kthesa).

Marrë nga “Mësim i kshtenë”, Dom Frano Illia







All the contents on this site are copyrighted ©.