2011-06-13 17:51:03

Shqipëri: Përgatitjet për kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë


Komision Shtetëror me përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, diaspora dhe shqiptarët e Maqedonisë e Malit të Zi për kremtimin dinjitoz të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe ridimensionim i plotë i qëndrimit ndaj etërve të pavarësisë. Me këtë deklaratë ka dalë sot kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD së, fjala kryesore e të cilës ishin masat për festimin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar.
"Ditëlindja e Shtetit të trajtohet në të gjitha rrafshet dhe duhet të shkruhet në muret e kohës. Janë shpallur paraprakisht dhe janë marrë disa vendime shumë të rëndësishme, nuk mund të kishte vendim më të drejtë e të goditur e nuk mund të nderoje me asgjë më shumë sesa me ndërtimin e tempullit të demokracisë shqiptare, parlamentit ndër më modernët në Evropë, ndërtimin e stadiumit të ri të Tiranës, që duhet të pasqyrojë të gërshetojë traditën, por dhe format më bashkëkohore të arkitekturës së stadiumeve sportive", tha Berisha.
Sipas tij, 100 vjetori kërkon një nderim shumëplanësh në të gjitha rrafshet, historik, kulturor, shkencor, artistik. Ai ka deklaruar se për ta kremtuar sa më mirë këtë ngjarje, 100 vjetorin e Pavarësisë do të krijohet Komision Shtetëror, që do të ketë në përbërje përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme, por do të ketë edhe përfaqësues nga të gjitha vendet, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, diaspora.
Berisha ka kujtuar se pavarësia e vendit është vepër mbarëkombëtare, kjo është botërisht e njohur, duke kujtuar se kryengritjet e mëdha që sollën pavarësinë u bënë në Kosovë. "Është e njohur se Dede Gjo Luli ngriti flamurin dhe udhëhoqi një lëvizje të fuqishme për pavarësi në të gjithë trevat shqiptyare një pjesë e të cilave sot janë në Malin e Zi. Diaspora ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në pavarësi, nëse shohim shtypin e kohës, kryengritjet kanë pasur paqyrimin më të madh në shtypin botëror, diaspora shqiptare e tëra ishte e angazhuar në suksesin e këtij procesi, ndaj dhe kjo veprimtari shumëformëshe duhet të jetë vepër e një komisioni me përfaqëues të shquar të fushave përkatëse", tha ai.
Sipas Berishës, kjo periudhë duhet të shërbejë për një ridimensionim të plotë të qëndrimeve ndaj etërve të pavarësisë, që në tërësi përveç Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, të tjerët u bënë pothuajse të paqenë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.







All the contents on this site are copyrighted ©.