2011-06-13 17:48:48

Papa për Rrëshajë: Kisha përqafon mbarë popujt, pavarësisht nga racat, klasat, kombet.


Kisha është katolike, domethënë, me porta të hapura për të gjithë, sepse Shpirti i Shenjtë e krijoi si Kishë të të gjithë popujve, përtej racave, klasave, kombeve. Këtë pohoi dje Papa në homelinë e Meshës, kryesuar në solemnitetin e Rrëshajëve, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Benedikti XVI nënvizoi se Kisha, po të ishte vepër e njeriut, tashmë do të qe shuar nga faqja e dheut.
Në uratën e Mbretëreshës Qiellore, iu lut Shpirtit Shenjt që paqja e dialogu në botë të ngadhënjejnë mbi armët dhe respekti për dinjitetin e njeriut, mbi interesat egoiste.

Rrëshajët e Babeli, dy realitete të pranishme edhe sot në një botë, ku vijon ndeshja e të kundërtave: dashuri e urrejtje, bashkim e përçarje, respekt e poshtërim, drejtësi e padrejtësi. Papa shpjegoi se festa e Rrëshajëve, është festa e krijimit, festa e Shpirtit Krijues:
“Për ne, të krishterët, bota është fryt i aktit të dashurisë së Zotit, që krijoi të gjitha sendet, e për të edhe gëzohet, sepse është ‘gjë e mirë’, ‘gjë shumë e mirë’ (cfr Gen 1,1-31). Prandaj Zoti nuk është Tjetri, Ai që nuk mund të merret nëpër gojë, duke ia përmendur emrin, i errët, i pakapshëm. Zoti dëftohet, ka një fytyrë, Zoti është arsye, Zoti është vullnet, Zoti është dashuri, Zoti është bukuri”.
Një bukuri e shpërfytyruar nga mëkati i njeriut, që bëri të nevojshëm shpërblimin e Krishtit. Jezusi i ngjallur frymon mbi dishepujt, që marrin Shpirtin Shenjt. Hyjmë në misterin e Rrëshajëve:
“Nga rrumuja e Babelit, nga zërat që këlthasin njëri kundër tjetrit, tek një shndërrim i plotë: turma potermadhe, bëhet bashkim i larmive e, për virtyt të pushtetit bashkues të së Vërtetës, rritet mirëkuptimi”.
T’i jetosh Rrëshajët, do të thotë ta kuptosh tjetrin, që ndryshon nga ti. Përmes fesë, shpresës e dashurisë, formohet një bashkësi e re e Kishës së Hyjit. E është Shpirti Shenjt ai, që i jep jetë Kishës:
“Ajo nuk zë fill nga vullneti njerëzor, nga reflektimi, nga aftësia e njeriut e as nga zotësia e tij organizative. Po të ishte kështu, Kisha do të qe shuar me kohë, do të kishte kaluar, ashtu si kalon çdo gjë njerëzore. Por ajo nuk kalon, sepse është Korpi i Krishtit, që e merr frymën prej Shpirtit Shenjt”.
Me Rrëshajët, shemben të gjitha muret, sepse Shpirti Shenjt përhap dashurinë, që përqafon çdo gjë. Prandej Kisha është katolike, që nga çasti i parë i krijimit të saj:
Që nga çasti i parë, Shpirti Shenjt e krijoi si Kishë të të gjithë popujve; si frymë, që përqafon mbarë botën, që kapërcen të gjithë kufijtë e racave, të klasave, të kombeve; që i shemb të gjitha muret e i bashkon të gjithë njerëzit në një besojmë të vetme: në atë të Zotit Trini. Që nga zanafilla, Kisha është një, katolike e apostolike: kjo është natyra e saj e vërtetë e si e tillë edhe duhet pranuar. Ajo është shenjte, jo falë aftësive të anëtarëve të saj, por sepse vetë Zoti, me Shpirtin e Tij, e krijon, e pastron, e shenjtëron”.Në përfundim të homelisë, Papa komentoi fragmentin e Ungjillit të djeshëm, që kujton sesi dishepujt galdojnë duke e parë Jezusin e ngjallur, jo vetëm sepse rikthehet Miku i humbur, por sepse në këtë rikthim ka diçka shumë më mahnitëse:

“Sepse Miku i humbur nuk vjen nga një vend çfaredo, por nga nata e zezë e vdekjes; e ai e ka kapërcyer këtë kufi! Ai nuk është dokushdo, por Miku e njëkohësisht, Ai është e Vërteta, që jep jetë; e ky, që dhuron, nuk është gëzim dosido, por është vetë gëzimi, dhuratë e Shpirtit Shenjt. Po, është e bukur jeta, sepse më duan, më do vetë e Vërteta!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.