Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, forca e Shpirtit Shenjt frymëzues i bukurisë
Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI vuri theksin mbi forcën frymëzuese
të Shpirtit Shenjt. Shpirti i Zotit – tha Papa- i jep kuptim lutjes; forcë, misionit
ungjillëzues, i ndez zemrat e atyre, që e dëgjojnë Lajmin e Mirë, frymëzon artin e
krishterë e melodinë liturgjike. Pastaj Papa kujtoi lumnimin e Alois Andritckit,
meshtar martir, që u lartua dje në nderimet e elterit. Meshari u mbyt nga nazistët
në vitin 1943, në moshën 28 vjeçare, në kampin e përqendrimit të Dakaut. Dëshmitar
heroik i fesë – e quajti Papa – i lum, që i shtohet aradheve të atyre, të cilët dhuruan
jetën në emër të Krishtit në kampet e përqëndrimit. Në ditën e Rrëshajëve, Papa ia
besoi ndërmjetësimit të tyre “kauzën e paqes në botë”: “Uroj që Shpirti
Shenjt t’i frymëzojë mbrojtësit guximtarë të paqes e t’i frymëzojë të impenjohen për
ta çuar përpara çështjen e saj, që dialogu të ketë epërsi mbi armët e respektimi i
dinjitetit të njeriut, mbi interesat e veçanta. Shpirti i Zotit, hallkë bashkimi,
i drejtoftë zemrat e atyre që dredhojnë rrugë, të shtyrë nga egoizmi e ta ndihmojë
familjen njerëzore të rizbulojë e të ruajë me kujdes, bashkimin e saj themelor”. Më
pas Papa kujtoi se nesër, më 14 qershor, kremtohet Dita e dhuruesve të gjakut: “...
miliona njerëz, që kontribuojnë në mënyrë të heshtur, në ndihmë të vëllezërve në vështirësi.
Të gjithë dhuruesve, u drejtoj një përshëndetje të përzemërt e i ftoj të rinjtë të
ndjekin shembullin e tyre”.Së fundi, Papa përshëndeti të gjithë gazetarët,
mbledhur në Pistoja të Italisë, për Forumin e informacionit katolik, kushtuar mbrojtjes
së gjithësisë, organizuar nga shoqata Greenaccord, me temë: “Hapësira e përbashkët
e njeriut në gjithësi”. I inkurajoj me gjithë zemër gazetarët e impenjuar në mbrojtjen
e ambientit – përfundoi Ati i Shenjtë.