Figura e Shën Antonit të Padovës në fjalët e Papës Benediktit XVI
Figurës së shën Antonit të Padovës, Papa Benedikti XVI i ka kushtuar katekizmin e
audiencës së përgjithshme të së mërkurës të 10 shkurtit 2010, mbajtur në Sallën e
Palit VI, në Vatikan. Shën Antonin e Padovës, bashkëkohës të Shën Françeskut, Ati
i Shenjtë Jozef Racinger e quajti “Një nga shenjtorët më popullorë të Kishës së gjithmbarshme”.
Papa Racinger kujtoi kryesisht mësimet e këtij Shenjti të jashtëzakonshëm, tejet të
nderuar nga besimtarët katolikë, kushtuar lutjes, parë si lidhje dashurie e si bisedë
e përzemërt me Zotin. Kujtoi edhe bamirësinë e mirënjohur të shën Antonit, që gjen
shprehjen në përbujtjen e të varfërve e në bindjen se do të jenë pikërisht të varfrit
e të mënjanuarit ata, që do të na presin e prinë në lumturinë e Qiellit. Mësim ky
me vlerë – theksoi Papa – sidomos për kohën tonë, të tronditur nga kriza ekonomike.
Më pas, duke kujtuar aftësinë e shën Antonin si predikatar, Benedikti XVI i fton
meshtarët t’i përgatisin me kujdes të madh homelitë e tyre, për ta paraqitur në mënyrë
sa më të kuptueshme, bindëse, prekëse, bukurinë e amshuar të Jezu Krishtit. Lisbona
ishte vendlindja e tij tokësore, Padova, vendi prej nga u nis për në qiell. Ndërmjet
këtyre poleve gjeografike, që u bënë në shekuj simbole universale të shenjtit, e kaloi
jetën njerëzore e shpirtërore Antoni i Padovës (emër, që në shqip, mori trajtën Ndue),
njeri i pajisur me shkencë e gojëtari të krishterë aq, sa të ngarkohej nga eprorët
e tij me detyrën që t’i kushtohej kryesisht predikimeve. Shkrimet e shëna Ndout -
vërejti Benedikti XVI - janë plot me freskinë dhe me bukurinë e Ungjillit deri në
atë masë, sa edhe sot e kësaj dite, mase 800 vjet pas vdekjes së tij, mund t’i lexojmë
me të njëjtin përfitim shpirtëror. E jo vetëm. Shën Antoni i Padovës, që deshi të
bëhej vëlla i vogël e që më 1221 njohu personalisht Shën Françeskun në Kapitullin
e famshëm të rrogozave, ishte ai që, me dhantitë e spikatura të mençurisë, të drejtpeshimit
e të zellit apostolik – shpjegoi Papa Racinger – dha një ndihmesë të shquar në zhvillimin
e përshpirtërisë françeskane. Por në predikimet e tij vërehet edhe një cilësi tjetër
themelore, ajo e afshit mistik: “Në këto Sermone, apo predikime, Shën Antoni
flet për lutjen, si për një lidhje dashurie, që e shtyn njeriun të bisedojë ëmbëlsisht
me Zotin, duke provuar një gëzim të papërshkrueshëm, i cili e mbush plot shpirtin,
që lutet. Antoni na kujton se njeriu që lutet, ka nevojë për një atmosferë heshtjeje,
e cila nuk përkon me shkëputjen nga zhurma e jashtme, por është përvojë shpirtërore,
që synon ta largojë njeriun nga hutimet e shkaktuara prej shqetësimeve të shpirtit,
duke krijuar heshtjen e vetë shpirtit”. Në këtë rrugëtim të mirëfilltë të jetës
së krishterë, të cilin Shenjti e propozon me mësimet e tij, lutja krijon mundësitë
që Zoti të hyjë në sferën e ndjenjave, të vullnetit, të zemrës, duke ndjekur katër
rrugë, të cilat Papa i nënvizoi për besimtarët e sotëm: “T’ ia hapim plot besim
zemrën tonë Zotit: ky është hapi i parë i lutjes; jo vetëm ta dëgjojmë fjalën, por
ta hapim zemrën në praninë e Zotit; pastaj të bisedojmë përzemërsisht me Të, duke
e ndjerë të pranishëm në shpirt; më pas- gjë shumë e natyrshme – t’ia paraqesim nevojat
tona; e, së fundi, ta lavdërojmë e ta falënderojmë”. Në kohën kur jetoi Shenjti
i Mrekullive, dëshira për t’iu lutur Zotit ishte zbehur ndjeshëm. Qytetet dhe tregtitë,
që nisën të lulëzojnë përsëri në fillim të shekullit të 13-të, flasin edhe për rritjen
e numrit të njerëzve të pandjeshëm ndaj nevojave të të varfërve e ndaj përmasës shpirtërore
të jetës: “Antoni më se një herë i ftoi njerëzit të mendojnë për pasurinë e
vërtetë, atë të zemrës, që na bën të mirë e të mëshirshëm dhe na ndihmon të mbledhim
thesare për Qiell (…). Thua s’është ky, miq të dashur, një mësim tejet i rëndësishëm
edhe për sot, kur kriza financiare dhe humbja e ekuilibrit ekonomik shkaktojnë varfërimin
e shumë njerëzve dhe krijojnë kushte mjerimi? Në Enciklikën time “Caritas in Veritate”
kujtoj: “Që të funksionojë në mënyrë korrekte, ekonomia ka nevojë për etikë, jo për
çfarëdolloj etike, por për një etikë që është mike e njeriut”. Dishepull i
Shën Françeskut, Antoni e vuri Krishtin në qendër të thirrjes e të apostullimit të
tij. Përveç kësaj - shtoi Benedikti XVI – për Antonin është themelor kundrimi i Kryqit,
që mbetet po aq i rëndësishëm edhe për kulturën bashkëkohore: “Vegimi i Kryqit
të Krishtit i frymëzon Antonit mendime mirënjohjeje për Zotin e nderimi për njeriun;
kështu të gjithë, besimtarë e jo besimtarë, mund të gjejnë tek Jezusi i Kryqëzuar
e tek simboli i tij, një domethënie, që ta pasuron jetën (…) Në këtë mënyrë, i tërë
dinjiteti njerëzor duket në pasqyrën e Kryqit e shikimi i ngulur drejt Tij, është
gjithnjë burim i njohjes së këtij dinjiteti”. Nga një predikatar i shquar,
si shën Antoni i Padovës, mendimi i Papës shkoi tek ata, që kanë sot për detyrë ta
bëjnë komunikimin e bazave të fesë bindës, të kuptueshëm e të paharrueshëm. Benedikti
XVI e përfundoi katekizmin kushtuar shëna Ndout duke e nxitur klerin, të vijon, të
jetë i zellshëm në shërbimin, kumtimit e në aktualizimin e Fjalës së Zotit para besimtarëve,
posaçërisht – porositi Papa - përmes homelive liturgjike: “Ato të jenë paraqitje
e bukurisë së amshuar të Krishtit, pikërisht ashtu siç porosiste Shëna Ndou: “Në se
predikon Krishtin, ai i shkrin zemrat e ngurrta; në se i lutesh, Ai i ëmbëlson tundimet
e hidhura; në se mendon për Të, ta mbush zemrën plot dritë; në se e lexon, Ai ta
shuan etjen e mendjes”.