(10.06.2011 RV)Pas Krakovisë e Vadovices, edhe Varshava ka një relike të Gjon
Palit II, lumnuar një muaj më parë. Në Panteonin e të mëdhenjve të Polonisë, në Varshavë,
në Kishën kombëtare të Provanisë Hyjnore, është ekspozuar një kind i gjakosur i petkut
që kishte veshur Papa, në çastin e atentatit të 1981-shit. Në mbrëmjen e së dielës
së kaluar, mijëra njerëz morën pjesë në proçesionin solemn me reliken, që nisi nga
qendra e qytetit, për të vijuar deri në lagjen periferike Vilanov. Ndërmjet tjerash,
lumnimi i Gjon Palit II u jetua edhe si çast kulmor i “Ditës së mirënjohjes”, që,
si çdo vit, Kisha e Polonisë e kremtoi të dielën e parë të qershorit. Kremtimin
e Meshës në Varshavë e kryesoi Nunci Apostolik në Poloni, kryeipeshkvi Çelestino Miliore,
në bashkëkremtim me kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Polonisë, kryeipeshkvin
Jozef Mihalik e me kryeipeshkvin e Varshavës, kardinalin Kazimir Nyç. Në Krakovi,
qytet ku Gjon Pali II ishte ipeshkëv, si dhe në Vadovice, vendlindje e tij, në jug
të Polonisë, ruhen dhe pesë relike të tjera të të Lumit.Përveç kësaj, nesër, në Krakovi,
do të përurohet Qendra e re Gjon Pali II e do të shugurohet edhe një kishë, kushtuar
Karol Vojtilës. Kremtimi do të arrijë kulmin me vendosjen e relikes në elter.