2011-06-10 16:22:10

Papa Akademisë Papnore Kishtare: diplomati i Vatikanit t’i shërbejë Ungjillit e paqes ndërmjet popujve.


Diplomati vatikanas është, mbi të gjitha, në shërbim të Ungjillit: këtë nënvizoi Benedikti XVI në takimin me nxënësit e Akademisë Papnore Kishtare, të cilët i priti sot në audiencë, në Vatikan. Papa kujtoi posaçërisht formimin shpirtëror të nuncëve të ardhshëm apostolikë, duke pohuar se diplomati i Vatikanit është, para së gjithash, meshtar.
Nga ana e të pranishmëve, Papën e përshëndeti imzot Beniamino Stela, kryetar i Akademisë, ku përgatiten meshtarët për shërbimin diplomatik të Selisë Apostolike.

Cili është qëndrimi, që duhet të mbajë nunci apostolik? Në fjalimin drejtuar diplomatëve të ardhshëm të Vatikanit, Benedikti XVI iu përgjigj kësaj pyetjeje, duke theksuar disa nga cilësitë kryesore njerëzore, që duhet ta dallojnë punën e atij, i cili është thirrur për një mision të tillë, kaq delikat. U ndalua, posaçërisht, tek durimi, forca shpirtërore, gjykimi i paanshëm e vendosmëria në dialog. Vuri, pastaj, theksin, mbi atë, që është më themelore për shërbimin e nuncit:
“Ai, në radhë të parë, është meshtar, ipeshkëv. Është njeri, që ka zgjedhur të jetojë duke i shërbyer një Fjale, që nuk është e tija. Në të vërtetë, ai është sherbëtor i Fjalës së Zotit, i ngarkuar, si çdo meshtar, me një mision, që nuk mund të kryhet përkohësisht, por i kërkon të jetë gjithë jetën, në përkim të plotë me mesazhin, që i është besuar, atë të Ungjillit”.
E pikërisht mbi bazën e këtij identiteti meshtarak – shtoi Papa - i ngarkohet, pastaj, në mënyrë të natyrshme, edhe detyra e posaçme e mbartësit të fjalës së Papës, si në Kishat e veçanta, ashtu edhe në institucionet shtetërore dhe në organizatat ndërkombëtare. Benedikti XVI nënvizoi edhe delikatesën e rolit të ambasadorit i cili, që në botën e lashtë, dërgohej për të përcjellur, me autoritet, fjalën e sundimtarit:
“Këtu qëndron aftësia e vërtetë e diplomatit e jo, siç besohet gabimisht nganjëherë, në dinakërinë a në sjellje të tilla, që s’janë tjetër, veçse zvetënim i praktikës diplomatike. Ndershmëria, koherenca e njeridashja e thellë janë virtytet themelore të çdo diplomati, i cili duhet ta vërë jo vetëm punën e cilësitë e veta, por, në një farë mënyre, gjithë personalitetin e vet, në shërbim të një fjale, që nuk është e tija”.
Në përfundim, Papa ripohoi se përfaqësuesit diplomatikë, pavarësisht nga shndërrimet e vrullshme, që vërehen në epokën tonë, janë gjithnjë të impenjuar në krijimin e bashkimit të mundshëm e të fuqizimit të marrëdhënieve paqësore e solidare ndërmjet popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.