Bilanci i viktimave në Libi, sipas OKB-së, kapërcen 10 mijë vetë
Në Libi vazhdojnë bombardimet e NATO-s, të cilat synojnë Tripolin. Edhe trupat e Gedafit,
në sulmet e tyre kundër Misratës, kanë shkaktuar mëse 20 të vdekur. Bilance e shifra
jep edhe OKB-ja, sipas së cilës, duke pasur parasysh të dyja palët, numri i viktimave
ka arritur nga 10 në 15 mijë vetë. Misioni i Kombeve të Bashkuara, që vizitoi Libinë
në prill, bën të ditur gjithashtu, se ka prova për krime lufte, nga ana e forcave
të kolonelit, të cilat, ndërmjet të tjerash, dyshohen se kanë sulmuar civilët e skuadrat
e ndihmës humanitare, njëlloj si të ishin kundërshtarë. E ndërsa operacionet bombarduese
te NATO-s ne Tripoli këto ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm, i ashtuquajturi Grupi
i Kontaktit për Libinë, është shprehur i gatshëm të ndihmoje lëvizjen kundër Gedafit
me gjithsej 1,3 miliardë dollarë. Në këshillimet e bëra në Abu Dhabi morën pjesë përfaqësues
nga 40 vende, ndër të cilat të gjitha shtetet pjesëmarrëse në ndërhyrjen e NATO-s
në Libi. Disa vende arabe që do të japin para, duan t`ia kalojnë direkt ndihmat e
tyre qeverisë kalimtare në Bengasi. Vende të tjera si SHBA dhe Italia, do ti derdhin
fondet përmes organizatave humanitare. Përfaqësues të rebelëve libianë kërkuan heqjen
e bllokimit për paratë e ngrira të Gaddafi-t, për të mbuluar nevojat e popullsisë
me ushqime dhe ilaçe.