2011-06-09 14:12:03

Çelësi i fjalëve të Kishës:domëthënia e fjalës “karizmë”, ose “dhuratë” e Shpirtit Shenjt. (emisioni i 99-të)


Të dielën e ardhshme Kisha Katolike kremton Solemnitetin e Rrëshajëve, ditë në të cilën përkujtohet ardhja e Shpirtit Shenjt mbi apostujt e mbi shën Marinë, të mbledhur në Çenakull. Në këtë ditë, apostujt u shndërruan nga njerëz të thjeshtë në dijetarë, pasi Shpirti Shenjt i dha secilit karizma, apo dhurata të veçanta, që i ndihmuan më vonë në misionin e përhapjes së Fjalës së Zotit. Në emisionin e sotëm, do të flasim pikërisht për fjalën “karizmë”, ose “dhuratë” e Shpirtit Shenjt.
Në greqisht njihen dy terma të lidhura me njëra-tjetrën: së pari fjala “chàris”, që do të thotë “hir” e pastaj, fjala “chàrisma”, që tregon dhuratën, një akt “falas”, për të cilën nuk kërkohet asnjë shpërblim. Termi i dytë, për fenë, do të thotë “dikim i Hirit Hyjnor”, që i shëlbon të gjithë njëlloj, por që secilin e pasuron shpirtërisht sipas një game të gjërë dhuratash të veçanta, që, me gjuhën teologjike, quhen “karizma”. Burimi i tyre është Hiri Hyjnor e veprimi i Shpirtit Shenjt, siç thotë Shën Pali Apostull: “Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë”(1 Kor 12,4).
Sidomos në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, Apostulli i Popujve përshkruan karakteristikat e veçanta të karizmave, duke rreshtuar madje njërin pas tjetrit dhuratat e Shpirtit Shenjt për Kishën: gjuha e dijes dhe e shkencës, intensiteti i fesë, dhurata për shërimin e njerëzve e për të bërë mrekulli, profecia, kuptimi i ndërgjegjes së njerëzve, glosolalia, e cila nuk është aq të dish shumë gjuhë, por të shprehesh me forma mistike të një niveli të lartë, shërbimi apostolik e katekistik, asistenca e të varfërve e kështu me radhë (12,8-10.28-30). Por, vetë Shën Pali, me kujdes, jep edhe kriteret e sakta për të vlerësuar se cilat janë karizmat e vërteta, përkundrejt atyre të rreme.
Kriteri i parë: karizmat e kanë burimin në Shpirtin Shenjt, prandaj nuk mund të shprehen me forma, që e kundërshtojnë fenë. “Askush që flet nën ndikimin e Shpirtit të Hyjit, nuk thotë: ‘Qoftë mallkuar Jezusi’”, u thotë Apostulli korintianëve(12,3).
Kriteri i dytë: karizmat kanë si qëllim të mirën e përbashkët të të gjithë njerëzve, prandaj nuk janë as privilegj, as ndonjë lloj çmimi a nderimi, për t’ua treguar të tjerëve. Gjithnjë Shën Pali: “Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët”(12,7).
Kriteri i tretë: në mesin e karizmave të ndryshme ka një lloj hierarkie, pasi ato kanë cilësi e funksione të ndryshme. Shën Pali Apostull ekzalton veçanërisht profecinë, dhuratë shumë më e madhe se glosolalia, për shembull: “Ai që flet në gjuhë të huaj edukon veten, kurse ai që profetizon edukon bashkësinë”(14,4). Kujtojmë këtu, se “profeci” nuk do të thotë “parashikimi i së ardhmes”, por kuptimi i shenjave të kohës, në dritën e Fjalës së Zotit.
Kriteri i katërt dhe i fundit, që përshkruan Apostulli i Popujve, lidhet me karizmën më të lartë, me dashurinë e bamirësinë. Vërtet, pasi flet për karizmat e ndryshme, shën Pali shton: “Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshmet! Dhe ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë!”(12,31). Menjëherë pas kësaj, në kapitullin e 13-të të Letrës drejtuar Korintianëve, vjen himni i mirënjohur e i mrekullueshëm, që Apostulli ia kushton pikërisht karizmës më të lartë, dashurisë, e cila është edhe më lart se profecia e kapërcen çdo karizëm tjetër: “Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë!”(13,2).







All the contents on this site are copyrighted ©.