2011-06-09 14:12:38

Takim i Neokatekumenëve në Dyseldorf: dëshmitë të të rinjve.


Të rinjtë e Evropës e të mbarë botës përgatisin Ditën e tyre Botërore, që do të mbahet në Madrid të Spanjës, gushtin e afërt. Në prag të këtij takimi të shumëpritur, rreth 25 mijë të rinj evropianë të Rrugës së re katekumenale, u mblodhën, në fund të majit, në Dyseldorf të Gjermanisë, për takimin e tyre vokacional. Gjatë veprimtarisë, organizuan një mision nëpër rrugët gjermane, kënduan, kumtuan Jezu Krishtin e i ftuan të gjithë të rinjtë të mos mungojnë në takimin me Benediktin XVI në Madrid. Në një botë, ku ka mënyra nga më të ndryshmet për të qenë i pranishëm në një ngjarje të tillë, që ka ndikuar e vijon të ndikojë mbi ndërgjegjen e ardhmërisë së botës, gjithnjë në dorë të breznive të saj të reja. Mund të jesh i pranishëm fizikisht, por edhe mendërisht, e , sidomos, shpirtërisht, përmes të gjitha mjeteve, tradicionale e moderne.
Të rinjtë e presin me pa durim Ditën e tyre botërore të Madridit. Pikërisht për t’i nxitur bashkëmoshtarët të mos mungojnë në takimin e madh, të rinjtë e Udhës së re katekumenale u nisën për mision në rrugët e Gjermanisë.
Të mësojmë nga përvoja e ndonjerit prej tyre. Në mikrofonin tonë, Davidi, 17 vjeç, italian nga Komo:

Përgjigje: - Të kumtosh Ungjillin, do të thotë t’u kujtosh njerëzve se, po të kenë besim në lidhjen e ngushtë me Zotin, jeta e tyre do të jetë më e mirë e do të ketë më shumë kuptim. E ky është problem i brezit tonë, që mendon se mund të jetohet edhe pa Zotin. Por, sa të rinj vetvriten çdo ditë në Evropë e në botë? Sa të tjerë drogohen? Sa e shkatërrojnë jetën, pa e nisur ende mirë? E pse e bëjnë këtë krim kundër vetvetes? Sepse jeta u duket fare pa kuptim. Sepse janë pikërisht në kërkim të kuptimit të saj!

Edhe Elizabeta , 19 vjeçe, zvicerane nga Lugano, mori pjesë në këtë mision:

Përgjigje: - Mund të themi – duke qenë të rinj – se, në sa kryenim misionin tonë, nuk u turpëruam fare përballë të tjerëve, bashkëmoshtarëve, që nuk mendojnë si ne.

Pyetje: - Mendoni se pati rëndësi për Evropën e sotme, posaçërisht për Gjermaninë, vendi më i pasur në Evropë, ‘lokomotiva e Evropës’ siç quhet?

Përgjigje: - Natyrisht, sepse pashë me sytë e mi, që ka shumë njerëz larg Zotit. Sot në Zvicër jemi shumë pak të krishterë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Pyetje: - Ç’fjalë pret nga Papa, kur të shkosh në takimin e Madridit? Do të shkosh, apo jo?

Përgjigje: - Takimet me Papën më prekin gjithnjë fort, sepse Ati i Shenjtë është pikëmbështetja ime mbi tokë: unë mbështetem tërësisht në Zotin, e prej këndej, në mënyrë të natyrshme, edhe në atë, që e përfaqëson Krishtin mbi tokë. E përfaqësuesi është Papa. Prandaj mund të them se kam jetuar gjithnjë çaste të mrekullueshme gjatë takimeve me Papën.

Të pranishëm në takimin e Dyseldorfit, edhe shumë të rinj spanjollë. Të dëgjojmë mendimin e Joakinit nga Terragona, 22 vjeç:
Përgjigje: - “Ishte përvojë shumë pozitive, e njerëzit qenë jashtëzakonisht të kënaqur. Nuk dinim të flisnim gjermanisht, por gjermanët, vetëm duke na parë si këndonin e si vallëzonim, afroheshin, prekeshin në shpirt. Shfrytëzuam gjithë hovin e zemrës sonë rinore, për ta kumtuar Krishtin!







All the contents on this site are copyrighted ©.