2011-06-09 16:48:54

Paqja, dialogu e respektimi i dinjitetit të njeriut në fjalimet e Papës për ambasadorët e ri, që priti në Vatikan


Përveç ambasadorit sirian, Papa pati fjalë të veçanta për secilin nga pesë ambasadorët e tjerë, që paraqitën letrat kredenciale në Vatikan e u takuan me të në Sallën Klementina.
Duke iu drejtuar ambasadorit të Zelandës së Re, Xhorxh Ribert Fërnes Trup, Benedikti XVI shprehu solidaritetin me viktimat e tërmetit, që në shkurtin e kaluar shkatërroi krejt zonën e Krajstçërçit. Jozef Racinger lavdëroi rolin e neozelandezëve në favor të paqes në rajonin e Paqësorit dhe mbështetjen që ata u japin vendeve fqinjë. Pasi inkurajoi modele zhvillimi, që respektojnë ekologjinë, Papa theksoi impenjimin e Kishës në mbrojtje të njeriut e të të drejtave të tij, nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, si edhe punën e katolikëve në favor të familjes e të edukimit të rinisë.
Ambasadorit të Molldavisë, Stefan Gorda, Papa i kujtoi se dëshira e ligjshme për integrimin në Bashkimin Evropian duhet të respektojë identitetin kulturor të vendit, bazuar në vlerat e krishtera, për ta ndihmuar edhe Evropën të rizbulojë atë që duket se nuk dëshiron ta shohë e madje, e mohon. Më pas, Ati i Shenjtë këshilloi që, për kapërcimin e vështirësive ekonomike të vendit, të punohet për mirëqënien e të gjitha shtresave të shoqërisë e jo për disa, në dëm të të tjerave. Së fundi, lavdëroi bashkëpunimin e ortodoksëve dhe të katolikëve për promovimin e vlerave fetare, kundër materializmit dhe relativizmit.
Në fjalimin para ambasadores së Ganës, zonjës Zhënevievë D. Tsegah, Papa përmendi përparimet e vendit në fushën ekonomike e shoqërore dhe zhvillimin paqësor të zgjedhjeve. Harmonia etnike, vërejti Ati i Shenjtë, është faktori, që ka krijuar paqe e qëndrueshmëri. Në këtë drejtim, kontributi i bashkësive të krishtera ka qenë veçanërisht i rëndësishëm.
Tema e lirisë së kultit – në një vend të ndarë përgjysëm ndërmjet katolikëve e protestantëve – qe qëndrore në reflektimin e Benediktit XVI për ambasadorin e Belizes, Henri Leulin Lourenc. Kjo liri e ka bazën në historinë e krishterë të vendit amerikanoqendror me rreth 300 mijë banorë, ku Kisha ka një rol të veçantë në fushën e arsimit. Papa përmendi të rinjtë e Belizes, të cilët falë fesë së thellë, falë inteligjencës e vullnetit të mirë do të jenë më të përgatitur për të marrë në dorë kryesinë e vendit.
Ambasadorit të Guinesë Ekuatoriale, Narcizo Ntugu Abeso Ojana, Papa i kujtoi kontributin e Kishës për një shoqëri të drejtë e solidare, që respekton dinjitetin e njeriut dhe ambientin, duke u përpjekur të nxisë shpërndarjen e barabartë të pasurive natyrore.







All the contents on this site are copyrighted ©.