SHBA-së të pa kënaqura me situatën pas zgjedhore në Shqipëri
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan për Euroazinë, Tomas Kantrimen dje në
një takim me gazetarë në Uashington tha se Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht
të angazhuara dhe aktive në Ballkanin Perëndimor e po punojnë më ngushtë me partnerët
në Bashkimin Evropian për të ndihmuar vendet e rajonit të realizojnë qëllimet e tyre
për t’u anëtarësuar në BE dhe shumë prej tyre edhe në NATO. Diplomati amerikan
tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për situatën pas zgjedhore në Shqipëri.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen vlerësoi lart
popullin shqiptar për pjesëmarrjen masive dhe sjelljen dinjitoze në zgjedhjet vendore
të 8 majit dhe mijëra vëzhguesit e pavarur vendas që ndoqën zgjedhjet. Në të gjitha
bashkitë, me përjashtim të Tiranës, tha ai, procesi shkoi mirë. Për Tiranën gara ishte
e ngushtë dhe manovrimet kanë qenë intensive. "Ne kemi shpreh dyshimet tona për bazën
ligjore të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar një kategori
të caktuar fletësh votimi. Çështjet lidhur me to i janë parashtruar Kolegjit Zgjedhor.
Por për ne është esenciale që të gjitha partitë të sillen me të njëjtin dinjitet që
tregoi populli shqiptar, të ruajnë qetësinë, të respektojnë ligjin dhe të mos nxisin
dhunën. Ne rezervohemi të shprehemi për rezultatin, deri sa të dëgjojmë se çfarë do
të thotë Kolegji Zgjedhor". Shpresoj, tha diplomati amerikan se pas këtyre zgjedhjeve,
të shikojmë në Shqipëri një komunikim më të mirë, me respekt të ndërsjellë, një pjesëmarrje
më të mirë nga të gjitha partinë në të gjitha organet qeverisëse. Për mendimin tim,
tha ai, kur njerëzit marrin pjesë më një numër kaq të madh në zgjedhje, është pikërisht
kjo që ata kërkojnë. Lidhur me mundësinë e paraqitjes së çështjes në Komisionin
e Venecias, Kantrimen tha se nuk ka asgjë të keqe për t'iu drejtuar atij, pasi shumë
vende e kanë bërë këtë, por ky është një vendim që u përket palëve në Shqipëri. Në
pyetjen e Zërit të Amerikës për përgjegjësinë e politikës shqiptare për zgjidhjen
e një sërë problemesh madhore për vendin, si çështja e pronësisë, reforma e gjyqësorit,
"rrjedhja e trurit", e të tjera, ndërsa përplasjet për rezultatet e zgjedhjeve, duke
filluar që nga ato parlamentare të qershorit 2009 janë tej zgjatur, Zëvendës Ndihmës
Sekretari i Shtetit, Tomas Kantrimen, tha: "Ne nuk kemi parë mjaft udhëheqës politikë
që të kenë vullnetin për të vënë interesat kombëtare të Shqipërisë para interesave
të partive të caktuara. Zakonisht udhëheqësit politikë janë të bindur se fitorja e
partisë së tyre është e njëjtë me interesin kombëtar. Por kjo nuk është kështu për
gjithë të tjerët. Në interesin e Shqipërisë sot është që t'u demonstrohet, veçanërisht
vendeve anëtare të Bashkimit Evropian se Shqipëria mund të funksionojë si të gjitha
demokracitë e tjera që kërkojnë të hynë në Bashkimin Evropian. Dhe në dy vitet e fundit,
Shqipëria nuk e ka plotësuar atë kriter. Ajo që më tremb sot është se ajo që duhet
të jetë një demonstrim shumë pozitiv për Evropën, Brukselin dhe për gjithë vendet
anëtare për pjekurinë politike të Shqipërisë, nga një sinjal pozitiv mund të kthehet
në një sinjal negativ, nëse nuk bëhen përpjekje reale nga partitë politike për ta
trajtuar këtë çështje qetësisht dhe në formë kushtetuese".