2011-06-08 19:33:50

Në Turqi, nunci apostolik kujton imzot Padovezen dhe lutet për lirinë fetare.


(08.06.2011 RV)Imzot Antonio Luçibelo, nunc apostolik në Turqi, së bashku me imzot Françeskinin dhe përfaqësues të Kishës ortodokse e armene, kujtoi, në Iskenderun, figurën e imzot Luigji Padovezes, mëkëmbës apostolik i Anatolisë, vrarë nga shoferi i tij, më 3 qershorin e vitit të kaluar. Prania jonë në këtë vend – deklaroi imzot Luçibelo në Agjencinë AziaNjuz - është e paktë në këndvështrimin numerik: jemi sa një famulli e vogël në një vend perëndimor. E megjithatë, dëshmia jonë e urtë, sjell gjithnjë fryte, shikohet me nderim e ndiqet. Për nuncin, edhe sivjet, vit, që i shtoi një martir të ri misionit në Turqi, pa llogaritur sinjale të tjera dhune, Kisha mundi ta thellojë misionin e saj. Kisha– theksoi – po jeton kalimin “nga prania, në dëshmim”. Kjo parrullë, që u përdor në një takim kishtar, mbajtur në Turqi, në vitet ’80, mbetet ende aktuale. Nuk është nevoja për një prani të potershme, me bori e trumbeta. Themelore është ta kumtosh Krishtin me jetën tënde, përmes një dëshmie të urtë, që nuk imponohet, duke dhënë shfaqje.
Përvujtëria e dëshmimi – vijoi imzot Luçibelo – korrigjojnë përshtypjen që kanë njerëzit e këtushëm për Kishën katolike, si organizatë e pushtetshme. Ta kesh mirë parasysh këtë, ka rëndësi të madhe.
Lidhur me ecjen e Turqisë drejt Evropës, imzot Luçibelo shpreson shumë. Por edhe nënvizon se pika më themelore, është liria fetare. Një liri e tillë nuk ka vetëm kuptimin e lirisë së kultit – saktëson – por edhe të asaj të ndërgjegjes. Është për t’u nënvizuar se çdo njeri duhet të ketë mundësi të besojë ose të mos besojë, e edhe të ndërrojë fe.








All the contents on this site are copyrighted ©.