2011-06-08 15:45:50

Në Fatima të Portugalisë më 9 e 10 qershor Shtegtimi i fëmijëve.


Një shtegtim krejtësisht kushtuar më të vegjëlve, që ka për qëllim të zhvillojë tek fëmijët aspektin shpirtëror të jetës e atë të adhurimit të Zotit Trinì. Kjo është sivjet nisma e Rektorit të Shenjtërores së Zojës së Bekuar në Fatima të Portugalisë, organizuar më 9 e 10 qershor me rastin e 100 vjetorit të dukjeve të Zojës së Bekuar tre fëmijëve të këtij vendi në livadhet e Kova d’Iria.
Këtu Luçia, Gjaçinta e Françesko, kullosnin grigjën e tyre, kur iu duk për herë të parë Virgjëra Mari, dukje që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore. Për herë të fundit Zoja e Bekuar, që tashmë njihet me emërtimin “e Fatimës” u duk 13 tetor 1917, kur njerëzimi ishte i pushtuar nga Lufta I Botërore. Virgjëra Mari u foli tre barinjve të vegjël portugezë, të cilët i porositi ta përcillnin mesazhin e saj për lutje, flijime e pendesë, që njerëzimi të shpëtonte nga përsëritja e tragjedive të luftërave. Sivjet shtegtimi i fëmijëve në vendin e dukjeve të Virgjërës Mari ka si temë “Ati, Biri e Shpirti Shenjt, unë Ju adhuroj”.
“Në besimtarin adhurimi është njohje e trashendencës së Zotit , shpjegoi atë Antunesh, është pranim i misterit të Tij Hyjnor, është dëshirë për ta nderuar e lëvduar thellësisht me jetë e me vepra”. Në pragun e këtij shtegtimi, fëmijët janë përgatitur për këtë ngjarje shpirtërore, në mënyrë që gjatë qëndrimit të tyre në Fatima të zbulojnë e të shijojnë bukurinë e lutjes, këndej të adhurimit të Zotit, të vendeve ku është shfaqur Zoja e Bekuar e gëzimin e kremtimeve liturgjike të Meshës e të Rruzares Shenjte në Kishën e të Shenjtueshmes Trini. Kujtojmë se më 10 qershor në Portugali është edhe festa kombëtare, e kremtimet kanë për temë “I tërë krijimi e lëvdon Zotin” dhe “Thesari im je Ti, o Zot”.
Nga Kova d’Iria, në historinë njerëzore të shekullit të fundit, vjen një mesazh, që u rrënjos për vullnet të Hyjit, përmes hireve, veprave të jashtëzakonshme të Zotit në Kishë e në mbarë botën. U rrënjos përmes dukjeve e mrekullisë së diellit. Zoja e Bekuar foli për kthimin e Rusisë, gjë që ngjalli për vite me radhë shpresa të mëdha. Pastaj dukjet e Virgjërës Mari u lidhën nga Provania hyjnore edhe me jetën e Papës Gjon Palit II, me atentatin që pësoi në Vatikan me 13 majit 1981. Me tre sekretet që Virgjëra Mari ua besoi barinjve të vegjël portugezë. E po kështu edhe me lumturimin e tre barinjve, ndërmjet të cilëve, Luçia, e cila jetoi gjatë për t’i zbuluar botës sekretet e Zojës së Fatimës, që njihet, nderohet e duhet nga mbarë bota e të cilën edhe Papa Benedikti XVI e kujtoi s në audiencën e përgjithshme të 13 tetorit 2010.
Nga Fatima vjen një mesazh ngushëllues, jo frikësues, tha Benedikti XVI, duke vizituar Shenjtëroren e Zojës në maj të vitit 2010, dhe i bëri thirrje një bote, e cila tepër shpesh shikon gjithçka me mosbesim, të mos e shtrembërojë atë, që u tha Zoja e Bekuar tre barinjve të vegjël, në një ditë të largët, 94 vjet më parë, duke iu dukur në atë hapësirë të privilegjuar, të hapur nga qielli, përmbi tokë. Hapësirë e cila, që asokohe – pohoi Benedikti XVI gjatë shtegtimit në Fatima – na mëson të shpresojmë në mëshirën Hyjnore, që shëron e shpëton:
“Është një mesazh i përqendruar mbi lutjen, mbi pendesën e mbi kthimin në rrugën e Zotit, që i kapërcen kufijtë e kërcënimeve, të rreziqeve, të tmerreve të historisë, për ta ftuar njeriun të ketë besim në veprën e Zotit, të ushqejë Shpresën e madhe, të provojë hirin e Hyjit, për t’u dashuruar me Atë, që është burim i dashurisë e i paqes”.Mesazhi që u përcolli Zoja e Bekuar barinjve të vegjël mbetet aktual ende sot: është mesazhi i paqes; ashtu si Shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes, djep i paqes.
Kujtojmë se po në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi Papën Gjon Pali II, ngërthyer si stoli e çmuar, në kurorën e shtatores së Zonjës së Bekuar. Ruhet edhe një copëz nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja Bekuar ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme.
E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet në vise të ndryshme të botës, nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.