2011-06-08 19:34:30

Nepal: një kod i ri penal, dënon kthimet në fenë e krishterë.


(08.06.20121 RV)Me një kod të ri penal, që po diskutohet këto ditë, qeveria nepaleze ndalon prozelitizmin dhe propozon t’u jepet fund kthimeve në fenë e krishterë, e edhe në fe të tjera, të ndryshme nga hinduizmi e budizmi. Sipas nenit n. 160 të kodit të ri, kush predikon ose përpiqet të bindë ndonjë nënshtetas të ndërrojë fe, rrezikon të mbyllet në burg së paku për pesë vjet e të paguajë një gjobë prej 400 eurosh. Lajmi shkaktoi frikë e zemërim në bashkësinë e vogël të të krishterëve, që druhen se do t’u kufizohet edhe më shumë liria fetare. I propozuar më 15 majin e kaluar, kodi duhet të miratohet nga Parlamenti e nga Presidenti Ram Bran Iadav. Prabhu Sah, ministër i Drejtësisë nepaleze, i shpjegon Agjencisë AziaNjuz se “ ligji nuk është kundër të krishterëve, të cilët, me veprimtarinë e tyre, i bëjnë një shërbim të madh vendit, por është kundër imponimit me forcë të fesë nga ana e kristianizmit”. Ministri thekson se këto vite hinduistët e budistët kanë denoncuar raste të ndryshme të kthimit me forcë, apo të prozelitizmit agresiv nga ana e bashkësisë protestante në vend.
Por lideri i kësaj bashkësie, që njihet si Shoqëria e Krishterë e Nepalit, Isu Jang Karki, e dënon ashpër propozimin e qeverisë dhe pohon se akuzat për kthimet me forcë në fenë e krishterë, janë të rreme. Sipas tij, ligji duhet shqyrtuar mirë e me imtësi të madhe, para se të miratohet, duke pasur parasysh edhe se të krishterët nuk kanë asnjë përfaqësues në Parlament. Prej këndej, lind rreziku, që ligji të miratohet pa asnjë kundërshtim e edhe të manipulohet nga fanatikët hinduistë.
Kujtojmë se, në vitin 2007, Nepali u shpall shtet laik, pas disa shekujsh monarkie absolute të tipit hinduist. Kushtetuta e përkohshme, miratuar nën mbikqyrjen e OKB-së, e ndalon prozelitizmin, por i lejon nënshtetasit ta shpallin lirisht fenë e tyre edhe përmes veprimtarive misionare e bamirëse.








All the contents on this site are copyrighted ©.