2011-06-08 19:34:55

Bashkimi Evropian vendos t’i japë fonde bujqësisë. Dëme nga psikoza e bakterit vrasës


Komisari evropian për bujqësinë, Daçian Çolos paraqiti sot pasdite në Bruksel një propozim të ri për ndihma evropiane në sektorin e prodhimit të frutave e të perimeve, i cili është dëmtuar jashtëzakonisht nga psikoza e krijuar prej epidemisë së bakterit Esheria Koli.
Sipas këtij propozimi, perimet e pashitura do të tërhiqen nga Evropa dhe përqindja e shpërblimit për prodhuesit e dëmtuar do të rritet. Kërkesa u bë dje, gjatë Këshillit të jashtëzakonshëm të ministrave evropianë të bujqësisë. Votimi përfundimtar i propozimit do të bëhet në Komitetin e veçantë të bujqësisë, i cili do të mblidhet të martën e ardhshme, po në Bruksel.
Ndërkaq, pas 25 viktimave e 2400 të infektuarve, duket se epidemia po shuhet. Numri i personave, që u drejtohen spitaleve gjermane është ulur ndjeshëm. Gjithsesi, akoma nuk dihet cila është vatra e përhapjes së kësaj forme tepër të rëndë të Esheria Kolit. Analizat vazhdojnë pa ndonjë rezultat, por deklaratat e Ministrisë gjermane të Shëndetësisë tërhoqën vëmendjen herë mbi një lloj perimesh e herë mbi një tjetër, duke shkaktuar vetëm panik. Si pasojë, shitblerja e perimeve në Evropë u ul ndjeshëm, duke i shkaktuar dëme të mëdha bujqësisë.
Nga Australia vjen zgjidhja për neutralizimin e bakterit Esheria Koli. Mëse dhjetë vjet më parë, dy punonjës shkencorë të universitetit të Adelaides patën krijuar në laborator një bakter të padëmshëm, me aftësinë për të kapur e neutralizuar helmin Shiga, të prodhuar nga Esheria Koli. Arritja u publikua edhe në revistën “Nature Medicine”, në vitin 2000, por si zakonisht kur nuk ka ndonjë epidemi, nuk pati interes nga ana e ndërmarrjeve farmaceutike për të prodhuar kurën përkatëse.








All the contents on this site are copyrighted ©.