2011-06-07 13:08:21

Takimit II i delegatëve të Konferencave ipeshkvnore të Evropës “Për inkulturimin e Islamit”


Gjatë takimit me temë “Për inkulturimin e Islamit”, mbajtur në Torino të Italisë, më 31 maj deri më 2 qershor, delegatët e Konferencave ipeshkvnore të Evropës patën në qendër të vëmendjes procesin aktual të marrëdhënieve me myslimanët, kryesisht në Evropë, proces që mund të favorizojë lindjen e një Islami më shumë fetar, sesa politik. Kujtuan me simpati edhe dëshirën për demokraci e liri në vendet arabe e, së fundi, duke e shikuar me vështrim kritik termin “islamofobi”, apo “urrejtje kundër islamit e islamikëve”, i nxitën myslimanët të krijojnë marrëdhënie të mira e transparente në rrethanat e ndryshme të jetës së tyre në Evropë.
Në Komunikatën, botuar në përfundim të takimit të dytë të delegatëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, vihet theksi mbi interesimin me të cilin Kisha katolike ndjek përfshirjen e shtetasve me besim mysliman në kontekstin evropian, si në nivel individual, ashtu edhe në atë komunitar. Proces i ndërlikuar, ky, jo pa kontradikta të thella, ndërmjet të cilave bie në sy sfida e inkulturimit progresiv të Islamit në Evropë, që duhet të ketë si pasojë theksimin më të madh të përmasës fetare, sesa të asaj politike. Të gjitha nismat kulturore e teologjike, shprehje e asaj, që njihet si “teologji e inkulturimit”, ndiqen me interesim të veçantë, sepse i hapin rrugën dhe fuqizojnë procesin e pjesëmarrjes pozitive të besimtarëve myslimanë në jetën shoqërore e kulturore evropiane, në një mjedis pluralist, të gatshëm për dialog ndërfetar e ndërkulturor.
Në këtë kuadër, Kisha ndjek me interes nismat e lindura në gjirin e bashkësive myslimane, për t’u dhënë liderëve të tyre fetarë – hoxhëve e mësuesve të Kuranit, - formimin teologjik e kulturor të përshtatshëm, që u krijon kushtet ta zhvillojnë me sukses rolin e tyre fetar, në rrethanat e jetës evropiane. Urohet që nisma të tilla, duke përfshirë edhe themelimin e katedrave të teologjisë islame pranë universiteteve të vendeve, ku teologjia është disiplinë e pranishme në sistemin universitar, të mund të organizohen, me adoptimet e nevojshme, sipas skemës juridike të marrëdhënieve ekzistuese ndërmjet Shtetit e Kishës. Në këtë perspektivë, Kisha e shikon me sy shumë pozitiv mundësinë, që mësimi i besimit në shkollat publike, të përfshijë edhe tradita të tjera fetare, si islami.
Duke i hedhur një vështrim aktualitetit të zonës mesdhetare, ipeshkvijtë e Evropës u shprehën me simpati për lëvizjet aktuale, në krye të të cilave janë veçanërisht të rinjtë e vendeve të ndryshme arabe, në të cilat, në këto muaj ndryshimesh të forta politike, ndjehet fort dëshira për demokraci, për liri, për respektimin e dinjitetit të njeriut. Ipeshkvijtë uruan që një proces i tillë të sjellë fitimin e së drejtës për liri fetare në këto vende, në mënyrë që edhe arabët e krishterë të mund ta gëzojnë plotësisht një liri të tillë, në kuadrin e barazisë reale ndërmjet nënshtetasve të feve të ndryshme.
Delegatët, pastaj, e vlerësuan me sy kritik termin “islamofobi”, që përdoret për të interpretuar marrëdhëniet armiqësore me islamikët e pranishëm në shoqëritë evropiane, duke menduar se do të ishte më mirë të përdoreshin fjalët ‘frikë’ e ‘kundërshtim’. U ripohua me forcë impenjimi i Kishës katolike për t’i kapërcyer të gjitha shfaqjet e frikës e të armiqësisë dhe për të thelluar marrëdhënie të mira e transparente në fusha të ndryshme, duke arritur, kështu, edhe në zhdukjen e çdo interpretimi, që dëmton miqësinë dhe bashkëjetesën paqësore.
Së fundi, delegatët shprehën bindjen e Kishës katolike se në Evropë duhet vijuar me impenjim të ri dialogu me myslimanët, në shkollën e Koncilit II të Vatikanit e duke u mbështetur fort mbi mësimet e Papës Benedikti XVI. Është fjala për thellimin e një dialogu, për suksesin e të cilit, të krishterët e myslimanët duhet të përballojnë tri sfida: sfidën e identitetit, që me fjalë të tjera, do të thotë ta dimë e ta pranojmë kush jemi; sfidën e ndryshimeve ndërmjet myslimanëve e të krishterëve, që larmitë e dallimet të mos çojnë kurrë në lindjen e urrejtjes, por të shikohen si burim i pasurimit të anasjelltë; e, së fundi, sfidën e sinqeritetit, që kërkon ta praktikosh fenë, pa e imponuar, në kontekstin pluralist e në perspektivën e dialogut të frytshëm.
Në punimet, kryesuar nga kryeipeshkvi i Bordosë dhe zëvendës-kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCee), kardinali Zhan Pierre Rishar, mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Zha-Lui Toran.
Në përfundim të takimit, delegatët e Konferencave ipeshkvnore falënderuan kryeipeshkvin e Torinos, imzot Çesare Nosilia, për mikpritjen, veprimtarinë organizative e përzemërsinë e tij e të të gjithë përfaqësuesve të dioqezës. Punimet, që u zhvilluan në një atmosferë të përzemërt e miqësore, u pasuruan me çaste lutjesh e sidomos, me kremtimin e përditshëm të Eukaristisë Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.