2011-06-07 15:51:34

Papa do të takohet me ciganët evropianë


Të shtunën e ardhshme, Benedikti XVI do të presë në Vatikan 1.400 romë dhe sintë evropianë, në audiencën e parë, që një papë ua kushton atyre brenda Selisë së Shenjtë. Vijnë nga i gjithë kontinenti e kanë etni të ndryshme. Më parë, një bashkësi ciganësh është takuar me Papën Pali VI në Pomecia, afër Romës, në vitin 1965. Gjithashtu, edhe i Lumi Gjon Pali II takoi grupe të veçanta e gjatë Jubileut të vitit 2000, kërkoi falje edhe për fajet e të krishterëve kundër romëve e sintëve, shumë prej të cilëve janë të krishterë. Të shtunën, 1.400 ciganët evropianë mbërrijnë në Romë për 75-vjetorin e martirizimit e për 150-vjetorin e lindjes të të Lumit Zefirin Himenes Mala, rom i pushkatuar me Rruzare në dorë gjatë Luftës Civile spanjolle, i pari cigan i ngritur në nderimet e elterit në vitin 1997.
Gjatë audiencës, Papës do t’i flasë shkrimtarja Ceija Stojka, cigane katolike e mbijetuar nga kampet e përqendrimit naziste. Fëmijë, e patën çuar më parë në Aushvic-Birkenau e më pas në Bergen-Belsen. Siç ekziston një “Shoah” për hebrenjtë, ekziston edhe një “Porrajmos” (përpirja) e gjysëm milion ciganëve në kampet e Hitlerit. Shtegtimi në Vatikan organizohet nga Këshilli Papnor për emigrantët dhe endacakët, së bashku me Fondacionin “Migrantes” të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, me dioqezën e Romës dhe me bashkësinë e Shën Egjidit. “Takimi do të jetë inkurajues si për ta, ashtu edhe për shoqërinë ku jetojnë”, shpjegon kryeipeshkvi Antonio Maria Veliò, kreu i dikasterit vatikanas për emigrantët.
Vlerësohet se në të gjithë botën ka rreth 36 milion ciganë, prej të cilëve 18 milion jetojnë në Indi, 15 milion në Evropë e mëse 2 milion në kontinentin amerikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.