2011-06-06 17:26:52

Tension i lartë në kufirin izraelito-sirian. Akoma protesta e perleshje në Siri.


Gjendje emergjence përgjatë kufirit ndërmjet Izraelit e Sirisë, pas manifestimeve të ditës së djeshme në lartësitë e Golanit. Qindra palestinezë e sirianë, në përvjetorin e humbjes se “Luftës së gjashtë ditëve” nga arabët në vitin 1967, u përpoqën të kalonin kufirin, por ushtarët izraelitë hapën zjarr. Sipas autoriteteve siriane, viktimat janë 23, ndërsa ushtria izraelite flet për 10 të vdekur. Mbi këtë episod, ndalet në mikrofonin tonë, profesoresha e historisë dhe e institucioneve të Lindjes së Mesme në Universitetin e Bolonja-Forli, Marçela Emiliani:
Manifestues palestinezë – e sipas gjasave, edhe sirianë – kapërcyen zonën e çmilitarizuar, duke u përpjekur të hynin në lartësitë e Golanit, që më parë kanë qenë të Sirisë, por që nga viti 1967, janë nën kontrollin izraelit. Në këtë mënyrë, palestinezët deshën të nënvizonin faktin se që nga lufta e vitit 1967, të gjitha territoret e pushtuara nga Izraeli janë në një gjendje të paqartë përsa i përket së drejtës ndërkombëtare. Izraeli nuk mund t’i aneksojë, sepse për Kombet e Bashkuara nuk mund të aneksohen territore me armë. Por, në vitin 1981, Izraeli i ka përfshirë lartësitë e Golanit në territorin e vet. Pra, nga ky këndvështrim, protesta është mëse e ligjshme.
Por, pas saj, fshihen edhe interesa të tjera, apo jo…
Problemi është se këtu dyshohet – jo vetëm nga Izraeli, por edhe nga bota perëndimore – se protestat janë lejuar nga ushtria e nga regjimi i Bashar al Asadit për ta larguar vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar nga shtypja me zjarr e hekur e manifestimeve në sheshet e në rrugët e të gjitha qyteteve siriane.
Vërtet, gjendja në Siri është gjithnjë e më dramatike. Në një qytet në kufi me Turqinë, gjatë orëve të fundit janë vrarë 28 vetë nga raprezaljet e forcave speciale siriane. Popullsisë i është prerë uji dhe energjia elektrike. Në Hama, në veri të Damaskut, ku është gjetur një varr i përbashkët me të paktën 15 kufoma, është vendosur shtetrrethimi. Alarmuese, edhe lajmet që vijnë nga Daraa, ku sipas dëshmitarëve lokalë, familjeve u janë dorëzuar 13 civilë pa jetë, me shenja të qarta torturash. Që nga fillimi i protestave, numri i viktimave e ka kapërcyer 1100-shin. Një nga historitë, që shkandulloi opinionin publik, është ajo e Hamza al Khatibit, djalosh 13 vjeçar, i arrestuar nga shërbimet e sigurimit vetëm sepse po këndonte një motiv kundër regjimit. E mbajtën në burg një muaj, duke e torturuar e më pas, ia dorëzuan familjes, pa jetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.