2011-06-05 16:47:11

Shqipëri: Kolegji Zgjedhor. PS gati padia tjetër për kundërshtimin e vendimit për ndryshimin e rezultati për Tiranën


PS-ja nuk pajtohet me vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Partitë tjera e vlerëson si të drejtë dhe të pakontestueshëm vendimin e Kolegjit Zgjedhor, si i vetmi organ për të dhënë vullnetin kushtetues ne situatat post zgjedhore. Partia Socialiste pritet të kërkojë që të verifikohet edhe çështja e mospërputhjes së numrit të votave me numrin e votuesve te gjendura ne kutitë për këshilltarë të bashkisë së Tiranës. Sipas burimeve nga selia rozë, e marta do të jetë shansi i fundit i socialisteve për betejën për kryeqytetin.
Këtë herë përveç padisë për kundërshtimin e vendimit për ndryshimin e rezultatit, socialistët do të kërkojnë që të verifikohet edhe çështja e mospërputhjes së shifrave.
Mospërputhja e shifrave është pranuar edhe nga anëtarë të KQZ-së, por është shpjeguar me pretendimin se fletët që janë tepër në në kutitë për kandidat, mungojnë në kutitë për këshilltarë. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, në kryeqytet kanë marrë pjesë në zgjedhje 256.507 qytetarë.
Juristët e PS janë në pritje të zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të ndërmarrë edhe nismën ligjore. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor pritet të zbardhet ditën e hënë dhe socialistët do të kenë kohë 24 orë për t'a shqyrtuar dhe për të hartuar edhe kërkesën e re që pritet të depozitohet në Kolegjin Zgjedhor.
Kolegji Zgjedhor komunikoi mbrëmjen e së premtes së kaluar vendimin për të pushuar çështjen që ka si objekt kërkesën e PS-së për të shpallur pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ-së për rezultatin e Tiranës, duke lënë kështu në fuqi vendimin e KQZ-së, i cili shpall fitues me 81 vota avantazh kandidatin e koalicionit "Aleanca për qytetarin", Lulzim Basha.
Kolegji Zgjedhor ka tre ditë afat për të zbardhur vendimin me të cilin pushoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, e cila kundërshtonte KQZ-në për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, Kolegji është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij. Sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor mund të vendosë për a) pushimin e gjykimit, b) gjykimin e çështjes në themel ose c) detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim.







All the contents on this site are copyrighted ©.