2011-06-05 17:38:12

Papa në takimin me përfaqësuesit e Kishës kroate: “Në se jemi katolikë, duhet të dallohemi në çdo fushë të jetës sonë”.


Në takimin e lutjes pranë varrit të kardinalit të Lum Stepinac, duke kujtuar me nderim të thellë martirin e madh të fesë së krishterë në Kroaci, Papa theksoi:
Martirizimi i krishterë është masa më e lartë e shenjtërisë e mbetet gjithnjë, në sajë të Krishtit, e përmes dhurimit të tij, përgjigje ndaj flijimit të Zotit, të cilin e marrim në Eukaristi. I lumi Alojzije Stepinac iu përgjigj këtij flijimi të Zotit, me meshtarinë e tij, me ipeshkvninë, me dhurimin e jetës”.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi vitet, jo të largëta, të dimrit të acartë, që shfryu me të gjithë egërsinë e vet mbi Kishën kroate, viktimë e të cilit qe i Lumi Stepinac:
“Martirizimi i tij shënon kulmin e dhunës kundër Kishës, që vijoi gjatë gjithë stinës së tmerrshme, dimrit vërtet të gjatë e të acartë, të persekutimit komunist. Katolikët kroatë, e posaçërisht kleri, qenë viktima të shtypjes e të padrejtësive sistematike, që synonin ta shkatërronin përgjithnjë Kishën, duke u nisur nga Autoriteti më i lartë vendas”.
Në këtë kohë, tejet të vështirë, një brezni e tërë ipeshkvijsh e meshtarësh qe gati të vdiste, për të mos e tradhtuar Krishtin, Kishën, Papën. Njerëzit e panë me sytë e vet se meshtarët e tyre nuk e humbën kurrë fenë, shpresën, dashurinë e krishterë, e kështu mbetën gjithnjë të bashkuar:
Ky bashkim shpjegon atë që, parë me sy njerëzor, mund të duket fare e pashpjegueshme: as regjimet më mizore, nuk munden ta mposhtin Kishën!".
Në vijim, një sërë inkurajimesh, duke nisur nga barinjtë, të cilët Papa i porositi të jenë gjithnjë të bashkuar me njëri-tjetrin e me Pasardhësin e Shën Pjetrit, t’i shërbejnë pajtimit ndërmjet të krishterëve e dialogut me myslimanët, duke ecur në gjurmët e Krishtit, që është paqja jonë.
E, për ta theksuar këtë, citoi kardinalin Stepinac, që shprehej kështu:
Një nga sëmundjet më të rrezikshme të kohës sonë, është mediokriteti në çështjet e fesë. Të mos e gënjejmë veten: “O jemi katolikë, o nuk jemi. E në se jemi, kjo duhet të duket në të gjitha fushat e jetës sonë”.
Pastaj Benedikti XVI i porositi meshtarët t’i mësojnë besimtarët, t’i shenjtërojnë e t’u prijnë; rregulltarëve u kujtoi misionin për ta dëshmuar në çdo epokë formën e jetës, të cilën e jetoi vetë Jezusi, duke ua propozuar edhe dishepujve, që e ndiqnin. Të rinjve, që përgatiten për jetë meshtarake e rregulltare, u kujtoi se Mjeshtri Hyjnor vijon të veprojë vazhdimisht në botë e t’u thotë të gjithë atyre, që i zgjedh për vete: “Më ndiq!”.
Fjalët e fundit të mbrëmësores, Papa ia drejtoi mbarë Kishës, duke e ftuar:
“Kishë e dashur e Kroacisë, merre mbi vete, me përvujtëri e guxim, detyrën për të qenë vetëdije morale e shoqërisë, kripë e tokës e dritë e botës. Uroj të jesh gjithnjë besnike ndaj Krishtit e ndaj lajmit të mirë, në një shoqëri, që ka prirjen t’i relativizojë e t’i shekullarizojë të gjitha fushat e jetës. Të jesh strehë e gëzimit në fe e në shpresë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.