2011-06-05 15:12:15

Papa familjeve kroate: “Mbrojeni jetën e dëshmojeni bukurinë e dashurisë bashkëshortore e kristiane”.


Papa u nis rreth orës 9.00 nga nunciatura apostolike, drejt hipodromit të Zagrebit, në breg të lumit Sava, ku e prisnin më se 400 mijë besimtarë. 100 mijë më shumë nga parashikimi i organizatorëve. Këtu Benedikti XVI kremtoi Meshën solemne të Ditës kombëtare të familjeve katolike kroate, në nëntëqind vjetorin e themelimit të dioqezës së Zagrebit. Mbajti homelinë e kremtoi lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Nga hipodromi i Zagrebit, e dërguara e Radio Vatikanit, Giada Akulino:

“Familja tradicionale, që përballon vështirësi e kërcënime; paprekshmëria e jetës njerëzore, nga zënia, në perëndimin natyror, krijimi i jetës së re. Por edhe kontributi i ‘kishave të vogla shtëpijake’ për ungjillëzimin e botës. Janë këto, disa nga temat që preku sot paradite Benedikti XVI, gjatë Meshës Shenjte, kremtuar në Zagreb, me rastin e Ditës së parë kombëtare të familjeve katolike kroate, në qendër të vëmendjes së Papës, në shtegtimin e tij të 19-të apostolik ndërkombëtar.
Familja, realitet themelor i jetës njerëzore, në Kroaci, ashtu si gjetiu, duhet të përballojë vështirësi e kërcënime, prandaj ka nevojë të ungjillëzohet e të ndihmohet – ishte thirrja e Benediktit XVI, që u prit nga një turmë prej 400 mijë vetësh, në hipodromin pak hapa larg lumit Sava, e u përshëndet nga një mijë meshtarë e 60 ipeshkvij, kroatë e të ardhur nga viset fqinje. Ndërmjet tyre, shumë shqiptarë.
Benedikti XVI iu drejtua menjëherë familjeve të krishtera, burim vendimtar për edukimin fetar, për fuqizimin e bashkimit të Kishës e për praninë e saj misionare në të gjitha rrethanat e jetës:
“Përkrah veprimtarisë së Kishës, ka shumë rëndësi dëshmia dhe impenjimi i familjeve të krishtera, dëshmia juaj konkrete, posaçërisht për të pohuar pacënueshmërinë e jetës njerëzore, nga zënia deri në mbarimin e saj të natyrshëm, vlerën unike, të pazëvendësueshme të familjes, themeluar mbi martesën dhe nevojën e masave ligjore, që i ndihmojnë familjet për ta kryer detyrën e edukimit të fëmijëve”.
Papa i ftoi familjet ta përballojnë me guxim mendësinë e shekullarizuar, e cila e propozon bashkëjetesën si kohë që të përgatit për martesë, madje që mund edhe ta zëvendësojë vetë martesën, duke kujtuar se njeriu mund të dojë pa asnjë rezervë e të vihet në shërbim të tjetrit, ashtu si Krishti:
“Të dashura familje, gëzojeni atësinë e amësinë! T’i hapësh rrugën jetës, do të thotë t’i hapësh rrugën së ardhmes, besimit në ardhmërinë E të respektosh moralin natyror, do të thotë ta çlirosh njeriun, në vend që ta poshtërosh. E mira e familjes, është edhe e mira e Kishës!”.
Duke kujtuar rrethanat e sotme botërore, posaçërisht ato evropiane, Papa skicoi një kuadër të shoqërisë së sotme:
“Për fat të keq, duhet të pranojmë se, posaçërisht në Evropë, vijon të përhapet shekullarizimi, që çon në përjashtimin e Zotit nga jeta e në shpërbërjen, në rritje, të familjes. Absolutizohet liria pa impenjime për të vërtetën e kultivohet si ideal, mirëqenia vetjake, përmes konsumit të të mirave materiale dhe përvojave kalimtare, duke e lënë fare mbas dore cilësinë e marrëdhënieve me njerëzit e me vlerat njerëzore më të çmuara; dashuria kufizohet në emocion sentimental, në kënaqjen e ngacmimeve instinktive, pa u impenjuar për të krijuar lidhje të qëndrueshme reciproke, që i hapin udhën jetës së re. Jemi të thirrur t’i kundërvihemi një mendësie të tillë!”.
Duke kujtuar tre shtegtimet e të Lumit Gjon Pali II në Kroaci, më ’94,’98 e 2003, Benedikti XVI theksoi se familja e krishterë ka qenë gjithnjë rruga e parë e transmetimit të fesë; e edhe sot është vatër e çmuar për ungjillëzimin. E duke u kthyer tek leximet biblike të së Dielës VII të Pashkëve, ndërmjet ‘Të Ngjiturit të Krishtit në qiell’ e ‘Rrëshajëve’, Papa i nxiti barinjtë të vijojnë, të parët, punën për formimin fetar të breznive të reja, përgatitjen e tyre për martesë dhe për shoqërimin e familjeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.