2011-06-05 17:38:32

Kryeipeshkvi Zhupan kërkon ligje në mbrojtje të të drejtave të familjes.


Në përshëndetjen drejtuar Papës, pas kardinalit Josip Bozaniç, kryeipeshkëv i Zagrebit, kryeipeshkvi Valter Zhupan, kryetar i Komisionit të Konferencës ipeshkvnore kroate për familjen dhe jetën, nënvizoi: “Sot të gjithëve u njihet e drejta për t’i shprehur lirisht opinionet e veta. Prej këndej, edhe ne, që përfaqësojmë shumicën e popullit kroat, të nënshtetasve të Republikës së Kroacisë, kërkojmë të drejtën për të jetuar, për t’i shprehur publikisht vlerat, për ta konsideruar të drejtë natyrore lindjen në një familje të përbërë nga një nënë e një baba. E sidomos, të drejtën të mos e quajmë progres, atë që e çon njeriun drejt vdekjes”.
Imzot Zhupan vijoi të kujtonte, gjithnjë në përshëndetjen drejtuar Papës, se pikërisht mbi stabilitetin e familjes, bazuar mbi vlerat e krishtera, u themelua Kontinenti i Vjetër dhe Kroacia, që ka qenë gjithnjë pjesë përbërëse e Evropës.Jemi të bindur – vijoi prelati - se pikërisht mbi këto vlera duhet ta bazojmë edhe ardhmërinë tonë, duke mbrojtur të drejtën e pacënueshme për të jetuar e për t’i shprehur publikisht, sepse përmes tyre na dhurohet jeta. Dëshirojmë që fëmijët tanë, theksoi prelati – të kenë, edhe sot, të drejtën t’i thërresin prindërit, “nënë” e “babë”; të drejtën që të pohojnë publikisht se janë pikërisht një nënë e një baba që u dhuruan jetën. E kemi të drejtë edhe të kërkojmë që qeveritarët tanë ta rishikojnë ligjin për ndërprerjen vullnetare të jetës së sapozënë në kraharorin e nënës, që hyri në fuqi në Kroaci në vitin ’78, kur besonim se kohë të tilla kishin marrë fund përgjithmonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.