2011-06-05 15:13:15

I Lumi Alojzie Stepinac, ipeshkëv e martir.


(05.06.2011 RV)Figurë vigane e Kishës katolike të martirizuar nga komunizmi ateist, kardinali Stepinac lindi më 8 maj 1898, në Brezaric të dioqezit të Zagrebit, në Kroaci. Ishte bir i një familjeje të kamur fshatare, që u përpoq t’i jepte arsim të gjithanshëm, duke nisur nga fillorja, tek fakulteti i agronomisë. Por jeta nuk rrodhi ashtu si e dëshironte familja. Gjatë Luftës I Botërore, studentit të agronomisë iu desh ta zëvendësonte pendën me pushkën e të luftonte si oficer austriak në frontin italian. Kujtojmë se Kroacia asokohe ishte pjesë e perandorisë austro-hungare. Si përfundoi lufta, ushtari ndërroi rishtas front e armë. U nis për në Romë, ku filloi studimet teologjike pranë Kolegjit gjermaniko-hungarik dhe Universitetit Gregorian, duke u diplomuar në filozofi (1927) e në teologji (1931). U shugurua meshtar dhe më 26 tetor 1930 kremtoi Meshën e parë në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. Më pas u kthye në Kroaci, ku ishte vendosur diktatura e mbretit, Aleksandrit të Serbisë, nën të cilën katolikët konsideroheshin si qytetarë të klasës së dytë, ndërsa ortodoksët gëzonin të gjitha të drejtat.
Detyra të rënda e të rëndësishme e prisnin meshtarin e ri në këto rrethana: qe i pari drejtor i Karitasit dioqezan; 36 vjeç u emërua ipeshkëv–ndihmës i kryeipeshkvit të Zagrebit; më pas, kryeipeshkëv e kryetar i Konferencës ipeshkvnore kroate.
Më 1941, me ndihmën nazifashiste, Kroacia u bë shtet i pavarur. Nisi regjimi i Paveliqit, që filloi t’i persekutonte egërsisht pakicat (hebrenj, ciganë disidentë).
Kryeipeshkvi Stepinac u radhit menjëherë përkrah të të persekutuarve e, më 20 nëntor 1941, kërkoi respektimin e plotë të dinjitetit të njeriut, pa dallim moshe, seksi, feje, kombësie, race.
I predikoi haptas mendimet e veta aq, sa një nga përfaqësuesit gjermanë në Zagreb, komentoi: “Në se një ipeshkëv do të shprehej kështu në Gjermani, nuk do të zbriste i gjallë nga predikatorja’. Paveliqi i kërkoi Vatikanit zëvendësimin e Prelatit guximtar.
Në përfundim të Luftës II Botërore, më 8 maj 1945, në Zagreb hynë partizanët e kuq të Titos: katolikët binin nga shiu, në breshër. Komunistët filluan menjëherë luftën sistematike kundër veprimtarive fetare: u ngrit Ozna, sigurimi komunist, që arrestoi, gjykoi e dënoi me vdekje me mijëra qytetarë, fajtorë vetëm sepse nuk kishin kurrfarë
simpatie për regjimin ateist. Ndërmjet tyre, edhe meshtarë e ipeshkvij. Më 17 maj 1945 i erdhi radha edhe kryeipeshkvit të Zagrebit, imzotit Stepinac. I vunë prangat. Por e liruan shumë shpejt, me ndërhyrjen e vetë Titos, i cili i kërkoi të shkëputej nga Roma dhe të krijonte Kishën Kombëtare Kroate. Prelati i dha një përgjigje të ashpër e të vendosur, që pati si pasojë rifillimin e tërbuar të persekutimit kundër Kishës katolike: burgime, pushkatime, dëbime. U dëbua nga Zagrebi edhe legati i Papës; u dënuan me vdekje pa proces, 369 meshtarë; u konfiskuan të gjitha pasuritë e Kishave. Më 22 shtator 1945 kryeipeshkvi Stepinac botoi një letër kolektive të episkopatit kroat, përmes së cilës denonconte padrejtësitë, që po bëheshin, duke uruar të nënshkruhej një konkordat ndërmjet Shtetit e Kishës. Regjimi u tërbua edhe më keq kundër tij. E arrestuan më 18 shtator 1946, organizuan një proces–farsë, me dëshmitarë të rremë e me shpifje, në përfundim të të cilit e dënuan me 16 vjet punë të detyruar dhe me pesë vjet heqje të të drejtave civile, pasi ta kishte kryer dënimin e parë. Ishte fajtor se nuk kishte pranuar të organizonte Kishën kombëtare. U mbyll në burgun e Lepoglavës, në izolim të plotë. Iu lejua vetëm kremtimi i Meshës dhe leximi i librave fetare.
Në sa shkruajmë këto radhë, vërejmë menjëherë përkimin me persekutimin komunist kundër Kishës Katolike në Shqipëri. Por, me sa duket, persekutimi i martirëve shqiptarë ia kalon shumë mundimeve të martirëve të tjerë të Lindjes, sepse meshtarëve shqiptarë u qe hequr edhe e drejta e meshimit e, sa për Ungjillin, leximi i tij përbënte një krim, që dënohej me vdekje. Regjimi komunist ëndërronte atë, që nuk e arriti kurrë: t’i bënte meshtarët të predikonin përçartjet e diktatorëve!
Më 1951 Imzot Stepinacin e dërguan në fshatin e lindjes, Krasiç, ku mund të qëndronte në famulli, por pa ushtruar detyrën ipeshkvnore e gjithnjë nën mbikqyrjen e policisë.
Me 12 janar 1953 Papa Piu XII e krijoi kardinal, duke dënuar publikisht regjimin, që nuk e lejoi të ishte në Romë për ceremoninë. Pas kësaj, regjimi i Titos ndërpreu çdo marrëdhënie me Selinë e Shenjtë. Fillonte, kështu, edhe në Kroaci, si në vendet e tjera komuniste, historia e ‘Kishës së heshtjes’. Kishës që vuan.
Më 1956 Kardinali mundi të lexonte Letrën Apostolike, me të cilën Papa Paçeli lavdëronte fenë heroike të kardinalit Mindszenty në Hungari; të Wyszynskit në Poloni e Stepinacit në Jugoslavi, viktima të persekutimit komunist ateist, duke i nxitur ta vijonin dëshminë e tyre të ndritur.
Kryeipeshkvi i tha famullitarit, që e përbunte: “Në se Papa kërkon martirizimin dhe refuzon çdo marrëveshje me komunizmin, atëherë e kam të qartë gjithçka!”.
Ndërkaq ndjente si i rëndohej sëmundja, e marrë në burgun e Lepoglavës. Dhimbjet bëheshin për ditë më të padurueshme, derisa i shkaktuan vdekjen, më 10 shkurt 1960. Dha shpirt duke u lutur për persekutorët e tij. Policia urdhëroi që të gjitha organet e Kardinalit, pas autopsisë, të zhdukeshin, për të shmangur rrezikun e lindjes së kultit të Ipeshkvit martir. Salikimet e tij u kremtuan në katedralen e Zagrebit, ku edhe u varros, tri ditë pas vdekjes, më 13 shkurt 1960, në pritje të lejes së jashtëzakonshme të qeverisë. Ishte i pranishëm i gjithë episkopati dhe kleri jugosllav e, që atë ditë, drejt këtij varri filloi shtegtimi i paprerë e nisën të nxirren edhe hire të panumërta, me ndërmjetësinë e tij.
U shpall i Lum më 3 tetor 1993, gjatë një kremtimi solemn, kryesuar nga Papa Gjon Pali II, në shenjtëroren e Shën Marisë Bistrica, në Zagreb.









All the contents on this site are copyrighted ©.