Atë Federiko Lombardi: Mbështetje për Sudanin Jugor
Mëse 100 civilë janë vrarë në rajonin Abijei të Sudanit, që nga data 21 maj, kur ushtria
e veriut e pushtoi atë. Sudani Jugor duhet të ndahet nga pjesa veriore e vendit me
9 korrik, por Khartumi po bën ç’është e mundur të mos e humbë territorin pjellor e
naftëmbajtës të jugut. Qeveria e presidentit Bashir po merr që tani masa për të rishikuar
buxhetin dhe strukturën shtetërore, të cilat duhet të ndryshojnë për t’u bërë ballë
mungesave ekonomike pas shkëputjes së jugut, por ato nuk e kanë ulur aspak tensionin.
Problemet filluan pasi Veriu akuzoi forcat e jugut se kanë sulmuar trupat veriore
dhe paqeruajtësit e OKB-së më 20 maj. Khartumi pushtoi zonën e Abijeit të nesërmen
dhe nuk iu përgjigj thirrjeve të SHBA-ve dhe të Kombeve të Bashkuara për t’u tërhequr
brenda kufijve të vet. Të dëgjojmë komentin javor të zëdhënësit të Selisë së Shenjtë,
atë Federiko Lombardi, pikërisht mbi këtë temë:
“Më 9 korrik duhet të lindë
shteti i 54-t afrikan, Sudani Jugor, 6 muaj pasi referendumi i 9 janarit të kaluar
sanksionoi fitoren e pavarësisë me shumicën absolute të votave të popullsisë. Një
shtet me kufij të ndryshëm prej atyre, të trashëguar nga epoka koloniale, një popull
që del prej mëse 20 vjetësh lufte të përgjakshme e mizore civile – si çdo luftë –
duke u çliruar nga supremacia e Veriut arab e islamik. Një popull, që priti gjatë
lirinë e paqen e, që e sheh deklaratën e afërt të pavarësisë në Juba si festë e si
shpresë të madhe. Me të drejtë, gjithë kontinenti i konsideron këto ngjarje si një
risi të rëndësishme e domethënëse: a do të arrijë të ecë përpara demokracia e re afrikane? Janë
në lojë gjëra të rëndësishme. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë para kërcënimeve për
vendosjen e Sharisë në Veri e para sulmeve ushtarake në rajonin e Abijeit, provokacion
i ri ky, për luftë. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë para vuajtjeve të shumë të shpërngulurve,
të cilët shkojnë nga veriu në jug, ose ikin nga Abijei, me rrezikun e urisë e të sëmundjeve
në sezonin e afërt të shirave. E nëse mendojmë për sfidën e bashkimit të një populli,
‘i pavaksinuar’ nga ndarjet fisnore e tepër i varfër jo vetëm nga pikpamja ekonomike,
por edhe kulturore; nëse kemi parasysh nevojën e formimit të një klase drejtuese,
atëherë e kuptojmë se pse ipeshkvijtë e vendit bëjnë thirrje me urgjencë për solidaritet
ndërkombëtar. Arsyet për shpresë nuk mungojnë, por janë të brishta e duhen mbështetur
me vendosmëri nga të gjithë, nëse duam të shohim agimin e diellit të drejtësisë e
të paqes në zemër të Afrikës”.