2011-06-04 16:17:38

Zagrebi


Kryeqyteti i Kroacisë, aktualisht me 1.250.000 banorë, njihet që nga Neolitiku. Megjithëse gjurmët e Andautonisë së lashtë, që ruhen edhe sot, na çojnë në epokën romake, historia moderne e qytetit dokumentohet nga shekulli XI. Në vitin 1094, një seli ipeshkvnore në kodrën e Kaptolit ngrihet nga mbreti i Hungarisë Ladislavi. Në kodrën ngjitur të Gradecit zhvillohet bashkësia me të njëjtin emër, e pavarur nga ipeshkvi. Të dyja ngulimet pushtohen nga mongolët më 1242. Me fundin e periudhës së mongolëve, mbreti Bela IV e deklaron Gradecin si qytet mbretëror, duke ia hequr nga duart zotërinjve feudalë e duke thirrur aty artizanë të huaj.
Duke filluar nga shekulli XIV, Gradeci dhe Kaptoli jetojnë në një gjendje të përhershme lufte deri në fillim të shekullit XVII, kur formojnë një qytet të vetëm, Zagrebin (që do të thotë “pas kodrës”). Kjo bërthamë historike përbën qendrën e sotme kulturore të kryeqytetit kroat, ndërsa poli ekonomik ndodhet më në jug. Nga selia ipeshkvnore e Kaptolit e pati zanafillën Kryeipeshkvia aktuale e Zagrebit. Gjatë shekullit XVII e XVIII, Zagrebi përfshihet nga zjarri e kolera. Në vitin 1621, qyteti bëhet seli e mëkëmbësve të mbretërve të Kroacisë e, në vitin 1664, etërit jezuitë ngritën aty tipografinë e parë. Në vitin 1776, qeveria zhvendoset nga Varazhdini në Zagreb. Shekulli XIX përfaqëson një periudhë ndryshimesh të mëdha: hapet lidhja e parë hekurudhore me Slloveninë e sotme (1862); ndërtohet një impant gazi; përurohet ujësjellësi (1878); rindërtohet vendi pas tërmetit (1880); fillojnë të qarkullojnë tramet e para të tërhequra nga kuajt (1891); ndërtohet centrali i parë elektrik (1907); fillojnë transmetimet e para radiofonike (1926). Nga viti 1941 deri më 1945, Zagrebi është kryeqyteti i Shtetit të Pavarur Kroat, me në krye Ante Paveliçin, lider i ultranacionalistëve kroatë, ustashëve. Në fund të Luftës II Botërore, Zagrebi bëhet kryeqytet i Republikës Socialiste të Kroacisë, pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Në vitin 1991, Franjo Tuxhman deklaron pavarësinë e Kroacisë nga Republika Federale Jugosllave. Lufta ndërmjet trupave indipendentiste dhe ushtrisë jugosllave përfundon në vitin 1995 me marrëveshjen e paqes e me pavarësinë e Kroacisë, e cila mban si kryeqytet Zagrebin.
Ai është qyteti më i populluar i Kroacisë dhe i vetmi që kapërcen milionëshin. Sipas të dhënave të vitit 2001, kroatët përbëjnë grupin etnik mazhoritar me 91,94% të popullsisë. Të tjerët janë serbë, boshnjakë, shqiptarë, sllovenë, maqedonas, malazez, rom, etj.. Në planin fetar, shumica e popullsisë është katolike, por ka edhe një pakicë serbësh ortodoksë dhe një bashkësi islamike. Para Luftës II Botërore, ekzistonte edhe një bashkësi e vogël hebrenjsh sefarditë dhe ashkenazitë.







All the contents on this site are copyrighted ©.