2011-06-04 20:35:19

Të rinjve në lutje, para Zojës së Portës së Gurit në Zagreb, Benedikti XVI u këshilloi ta lënë Krishtin t’i marrë për dore e t’i udhëheqë në lartësitë, ku banon Zoti.


Zoja e Portës së Gurit, Pajtorja e Zagrebit, për të cilën kroatët kanë një devocion shumë të lashtë, madje edhe më të lashtë se dogma e Zojës së Papërlyer, qe ajo, që i dha një atmosferë të veçantë krejt lutjes me të rinjtë në sheshin Josip Jelaçiç të kryeqytetit. Pasi janë lutur në praninë e figures së saj në të gjitha famullitë e pasi kanë shkuar në shtegtim me të, të rinjtë e sollën në procesion dhe e vendosën mbi podiumin, ku do të qëndronte më pas Papa. Benedikti XVI nuk mundi të mos vërente se si ky shesh, zakonisht i zhurmshëm, u kthye gati në një tempull, ku në heshtje të plotë, të rinjtë adhuronin të Shenjtnueshmin Sakrament. E nuk mungoi as të falenderonte dy të rinjtë, që sollën në shesh dëshminë e tyre të fesë.RealAudioMP3
“Të gjithë e dimë – u tha Papa – se në zemrën e secilit banon një dëshirë e fortë për lumturi. Çdo veprim, çdo vendim, çdo ndjet mban në vetvete këtë kërkesë të natyrshme. Por shpesh vërejmë se u kemi besuar realiteteve, që nuk e plotësojnë këtë dëshirë, madje tregohen krejt të papërshtatshme. E në këto çaste, ndjejmë nevojën për diçka që shkon ‘përtej’, që i jep kuptim jetës së përditshme”.
“Çfarë kërkoni?” Papa u bëri të rinjve të njëjtën pyetje, që Jezu Krishti u bën dishepujve të parë. Zoti ua ka dhënë rininë, u tha Ati i Shenjtë të rinjve të Zagrebit, që pikërisht në këtë periudhë të zbuloni domethënien e ekzistencës suaj, pavarësisht nga frika e nga gabimet e rrugës. “Lejojeni Jezusin t’ju marrë për dore! Lejojeni të hyjë gjithnjë e më shumë në rrugën tuaj si mik e shok! Besojini dhe nuk do t’ju zhgënjejë kurrë”.
Benedikti XVI përmendi Ditën Botërore të Rinisë në Madrid dhe shembullin e të Lumit kroat Ivan Merz, që e kaloi jetën në shërbim të të rinjve, duke vdekur ai vetë në moshën 32 vjeçare e duke sjellë në botë, siç tha Papa, “aromën e mirë të Krishtit”. “Mos u çorientoni nga premtimet për suksese të lehta – i porositi Ati i Shenjtë të rinjtë, para se t’i dhuronte një Rruzare Zojës e të largohej nga sheshi Josip Jelaçiç, ku vazhdon lutja edhe ndërsa ne po transmetojmë. Mos u tundoni nga pasuria, nga gjërat materiale, duke hequr kështu dorë nga zbulimi i asaj së vërtete, që shkon përtej, si një yll lart në qiell, ku Krishti dëshiron t’ju çojë. Lëreni t’ju udhëheqë në lartësitë qiellore, aty ku është Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.