2011-06-04 20:35:50

Në takimin me eksponentët e shoqërisë, Papa reflektoi mbi ndërgjegjen e mbi formimin e saj, si e vetmja shpresë për të ardhmen


Skenari i pasdites së vonë ishte ndoshta më pak i mbushur me njerëz, në krahasim me sheshin Josip Jelaçiç, që e merr emrin nga një ban i Kroacisë, i cili hoqi bujkrobërinë, por ishte gjithsesi sugjestiv. Në orën 18.15, Papa u takua me eksponentët e shoqërisë civile, të politikës, të kulturës e të shkencës, si edhe me Trupin Diplomatik e krerët e feve të ndryshme të Kroacisë, në Teatrin Kombëtar të Zagrebit, ngritur në vitin 1840. Një asamble e vogël muzikore shoqëroi me nota takimin. Ati i Shenjtë u përshëndet nga Presidenti i Komisionit për kulturën të Konferencës Ipeshkvnore Kroate, imzot Zhelimir Puljiç, kryeipeshkëv i Zarës dhe nga profesori Niko Zurak, neurolog e psikiatër kroat, anëtar i Akademisë Papnore për Jetën....RealAudioMP3
Tema qendrore e reflektimit të Papës u përmend nga ai vetë: “ndërgjegjja”. Duke pasur parasysh dëshirën e Kroacisë për integrimin në Bashkimin Evropian, Benedikti XVI s’la pa nënvizuar:
“Fitoret e mëdha të kohëve moderne, si njohja dhe garantimi i lirisë së ndërgjegjes, i të drejtave të njeriut, i lirisë së shkencës e që këtej, shoqëria e lirë, duhen konfirmuar e zhvilluar, duke ua hapur racionalitetin dhe lirinë bazave të tyre transhendente, për të shmangur zhdukjen e vetvetishme të këtyre fitoreve, siç mund të vërejmë fatkeqësisht, jo në pak raste”.
Cilësia e jetës shoqërore e civile, cilësia e demokracisë – vazhdoi Papa – varen në pjesën më të madhe nga kjo pikë “kritike”, që është ndërgjegjja, nga mënyra si kuptohet ajo e nga sa investohet në formimin e saj:
“Nëse ndërgjegja, sipas mendimit mbizotërues modern, reduktohet në kuadrin e subjektives, ku mënjanohen feja e morali, kriza e perëndimit nuk ka zgjidhje dhe Evropa është e destinuar të mos shkojë përpara. Por, nëse ndërgjegja rizbulohet si vend i dëgjimit të së vërtetës dhe si vend i së mirës, i përgjegjësisë para Zotit e vëllezërve, me humanitet – që është forca kundër çdo lloj diktature – atëherë ka shpresë për të ardhmen”.
Duke falenderuar profesorin Zurak për fjalët që i drejtoi, Papa kujtoi se ai shpesh përmendi rrënjët e krishtera të shumë institucioneve të Kroacisë. Por kjo vlen për krejt Evropën, theksoi Ati i Shenjtë, i cili nënvizoi se ripohimi i rrënjëve të krishtera, nuk është thjesht njohje e së vërtetës historike, por një akt, që u lejon këtyre rrënjëve të frymëzojnë edhe veprimet e sotme. Mund të vlejë këtu si shembull, përvoja e jezuitit kroat shkencëtar, atë Ruxher Josip Boshkoviç, teoria e të cilit mbi “vazhdimësinë”, megjithëse e shekullit të 18-të, përkon shkëlqyeshëm me disa nga zbulimet e mëdha të fizikës bashkohore. Pasioni për unitetin i atë Boshkoviçit është tipik i kulturës katolike, nënvizoi Benedikti XVI:
“Prandaj, është shenjë shprese themelimi i Universitetit Katolik në Kroaci. Uroj, që ai të kontribuojë në bashkimin ndërmjet fushave të ndryshme të kulturës bashkohore dhe vlerave e identitetit të popullit tuaj, duke vazhduar kontributin e rëndësishëm kishtar në historinë e kombit fisnik kroat”.
E Papa iu rikthye investimit për formimin e ndërgjegjes, sipas shembullit të njerëzve të mëdhenj të tokës kroate, duke përvetësuar metodikën e tyre:
“Është në formimin e ndërgjegjes, që Kisha i ofron shoqërisë kontributin e saj më të çmuar. Një kontribut, që fillon nga familja e që përforcohet në famulli, ku fëmijët e të rinjtë mësojnë të thellohen në Shkrimin Shenjt, i cili është ‘kodi i madh’ e kulturës evropiane; e njëkohësisht, mësojnë edhe kuptimin e bashkësisë së themeluar mbi dhuratën, jo mbi interesin ekonomik, ose mbi ideologjinë, por mbi dashurinë, që është ‘forca kryesore nxitëse e zhvillimit të vërtetë të çdo njeriu e të njerëzimit mbarë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.