2011-06-04 07:55:21

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PS, ripohon vendimin e KQZ-së. Basha fitues në bashkinë e Tiranës


Kolegji Zgjedhor vlerësoi si të drejtë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të hapur dhe numëruar kutitë e kontestuara, për Bashkinë e Tiranës, ku rezulton të jetë fitues kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha.
Pra, Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, për të shpallur të pavlefshëm vendimin e datës 18 maj dhe 23 Maj të KQZ-së ku u vlerësuan votat e kontestuara dhe u shpall kryebashkiak i Tiranës kandidati i mazhorancës Lulzim Basha, me 81 vota më shumë se rivali i tij Rama.
Pasi dëgjoi pretendimet e përfaqësuesve ligjorë socialistë, dhe pasi shqyrtoi provat e padisë së PS, së bashku tabelat përmbyllëse të rezultatit të Tiranës dhe të KZAZ, të dorëzuara këto nga KQZ-ja vendosi të rrëzojë kërkesën e PS, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së. Basha përshëndet vendimin e Kolegjit Zgjedhor: Numërimi i çdo vote, fitorja më e madhe.

Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje vonë kërkesë-padinë e Partisë Socialiste për shpalljen si të pavlefshëm vendimin të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e votave të kutitë e gabuara. Ky vendim është paraqitur si i formës së prerë dhe Kolegji Zgjedhor vendos pushimin e çështjes.
Kolegji e mori vendimin pas shqyrtimit të tabelave përmbledhëse për Tiranën dhe pasi dëgjoi palët, Partinë Socialiste, KQZ-në dhe Partinë Demokratike.
Trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor me relator Tom Ndrecën shqyrtoi të premten kërkesën ankimore të Partisë Socialiste kundër vendimit të KQZ-së për vlerësimin e votave të kontestuara.
Në mbledhjen e paradites, e cila zgjati 4 orë, Kolegji kërkoi, në cilësinë e provave materiale, tabelat përmbledhëse të 10 KZAZ-ve të Tiranës si dhe tabelat përmbledhëse të të gjitha grupeve të numërimit në mënyrë që të vërtetohej nëse ato ishin përmbyllur para 18 majit, ditë kur komisioni miratoi në parim projekt-aktin i cili parashikonte numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Ndërsa mbledhja e pasdites, e cila filloi në orën 17:00, zgjati vetëm 15 minuta, kohë pas së cilës Kolegji u tërhoq për vendim.
Kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bazuar në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të lënë në fuqi nga Kolegji Zgjedhor, rezulton të jetë fitues i bashkisë së Tiranës me 81 vota në avantazh kundrejt kandidatit të Partisë Socialiste, Edi Rama.







All the contents on this site are copyrighted ©.