2011-06-03 15:32:31

Papa priti në Vatikan Abu Mazen, një paqe të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë. Izraeli e Palestina të jetojnë në paqe brenda kufijve të njohur


Papa Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë në Vatikan presidentin e autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, i njohur si Abu Mazen, me delegacionin përcjellës. Në bisedime, njofton një deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, është nënvizuar urgjenca e gjetjes së një zgjidhjeje të “drejtë e të qëndrueshme” si zgjidhje përfundimtare e “situatës së trazuar e të mundimshme të Tokës së Shenjtë”.
Në veçanti, është theksuar urgjenca e “sigurimit të respektimit të të drejtave të të gjithëve e, prandaj, plotësimin e aspiratës legjitime të Popullit palestinez në një Shtet të pavarur”. Në bashkëbisedime, ndërmjet Benediktit XVI e Abu Mazen, vijon deklarata e Vatikanit, është ripohuar se “Shteti i Izraelit e ai Palestinez duhet të jetojnë sa më shpejt të sigurt, në paqe me fqinjët e vet dhe brenda kufijve ndërkombëtarisht të njohur”.
Vetëm kështu, e “me mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare dhe në frymën e bashkëpunimit e të gatishmërisë së pajtimit”, nënvizon Selia e Shenjtë, “Toka e Shenjtë do të mund të njohë e gëzojë paqen”.
Po gjatë audiencës nuk është heshtur rreth “situatës së bashkësisë së krishterë në Territoret Palestineze e, më në përgjithësi, në Lindje të Mesme, dhe është vënë në pah kontributi i pazëvendësueshëm që bashkësia e krishterë ofron për ndërtimin e shoqërisë në këtë rajon”.
Së fundi, Papa e presidenti palestinez shprehen “urimin që punimet e delegacionit të Selisë së Shenjtë dhe të Organizatës për Lirimin e Palestinës të vijojnë me rezultate pozitive në përpilimin e një Marrëveshje globale ndërmjet Palëve”.
Pas audiencës te Papa, Abu Mazenideri është takuar edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, së bashku me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Mamberti.







All the contents on this site are copyrighted ©.