2011-06-03 16:49:15

Kryetari i ipeshkvijve kroatë: shtegtim Papnor për të rizgjuar ndërgjegjet, në një çast krize.


Si gjithnjë, vizita apostolike e Benediktit XVI, kremtohet nën shenjën e një motoje themelore, të përhershme. Për të na flet imzot Marin Srakiç, kryeipeshkëv i Gjakovo-Osijek, kryetar i Konferencës ipeshkvnore kroate, nga Zagrebi, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Si moto të shtegtimit të Atit të Shenjtë, Konferenca ipeshkvnore kroate zgjodhi “Së bashku në Krishtin”. Shprehu, kështu, dëshirën për bashkimin e të gjitha niveleve në Krishtin. Bashkimi në Krishtin na kujton vetë natyrën e Kishës, thellimin e identitetit kishtar të familjes e të thirrjes së krishterë. E jo më pak, detyrën për të qenë më të pranishëm në shoqëri, falë impenjimit tonë për të mirën e përbashkët, dhurimit të vetvetes e forcës së Kryqit. Ati i Shenjtë vjen të na vizitojë në një çast, kur mbarë bota, e me botën edhe populli ynë kroat, jeton në atmosferën e një krize të rëndë kulturore, ekonomike e politike, pas së cilës fshihet një tjetër krizë, edhe më e thellë: ajo shpirtërore. Kjo krizë ka si pasojë përhapjen gjithnjë më të madhe të indiferencës, të theksimit të divergjencave ideologjike e të tipeve të tjera. Sundon një farë apatie. Ndjehet fort skepticizmi, amullia, lodhja shpirtërore. E kur i krishteri ka nevojë për energji të reja, Papa, si atë i të gjithë besimtarëve, me dashurinë e tij, na prin në det të hapur, ku mund të shikojmë një ardhmëri shumë më të qetë.

Pyetje: - Të dielën, më 5 qershor, Papa do të marrë pjesë në takimin kombëtar të familjeve kroate. Ç’mund të na thoni pikërisht për familjet? E sa prej tyre priten të jenë të pranishme në takimin me Papën, më 5 qershor?

Përgjigje: - Si arsye kryesore të vizitës apostolike, duke iu përgjigjur ftesës sonë, Ati i Shenjtë theksoi kremtimin e Takimit kombëtar të familjeve kroate, që Kisha jonë e organizon për herë të parë. Me këtë kremtim duam të tërheqim vëmendjen e shoqërisë kroate, të institucioneve e të mjeteve të komunikmit, që të vënë theksin mbi martesën e mbi familjen, si qelizë jetike e popullit kroat dhe e mbarë shoqërisë kroate. Dëshirojmë të shkundim ndërgjegjet, t’i zgjojmë nga dremitja, duke u kujtuar, me forcën që na jep prania e Papës, se familja përfaqëson qelizën e pazëvendësueshme embrionale të jetës së popullit e të Kishës kroate. Ajo nuk është vetëm burim i jetës së re, por edhe bërthamë ideale, në të cilën njeriu mund të rritet fizikisht e shpirtërisht. Jemi të vetëdijshëm se ardhmëria e lumtur dhe rilindja e një populli, mund të realizohen vetëm përmes familjes. Pa harruar se, për fat të keq, sot familja ndodhet nën trysninë e fortë të individualizmit, të hedonizmit e të materializmit praktik. Prej këndej, një numër gjithnjë më i madh çiftesh, të lidhur me sakramentin e martesës, vijojnë të shpërbëhen. Ka shumë ndikime që, jo vetëm i mohojnë, por edhe i sulmojnë haptazi vlerat e martesës e të familjes. Si pasojë kemi edhe një numër gjithnjë në rënie të lindjeve.
Në Sheshin e Ban Jelaçiç të Zagrebit, do të jenë të pranishëm më se 25 mijë të rinj; në hipodrom, presim së paku 300 mijë vetë, ose më shumë. Njerëzit tanë, në raste të tilla, janë të paparashikueshëm.

Pyetje: - Shkëlqesi, ç’kujtoni sot nga lufta e viteve ’90 në Kroaci?

Përgjigje: - Plagët e luftës së viteve ’90 janë akoma të pambyllura: fabrikat, shtëpitë, kishat e rrënuara, nuk janë rindërtuar akoma. E plagët e luftës nuk kanë lënë gjurmë vetëm mbi gurët, por sidomos, mbi shpirtrat. Të shumta janë ndër ne plagët psikologjike, ndonëse kemi bërë hapa vigane përpara përsa i përket edukimit me frymën e faljes, të pajtimit e të bashkëpunimit të përditshëm ndërmjte qytetarëve kroatë të kombësive kroate e serbe.

Pyetje: - Cili ishte ndikimi i të Lumit Stepinac mbi Kroacinë gjatë luftës?

Përgjigje: - Figura e të Lumit Stepinac ishte simbol i shpresës e i papërkulshmërisë, në çaste të vështira të historisë në të kaluarën e afërt. Motoja e tij ishte “Në Ty, o Zot, shpresova”. Figura e tij u dha e u jep guximin e fesë, katolikëve kroatë. E shembulli i tij ushqen shpresën e krishterë të popullit kroat.

Pyetje: - Një kujtim nga vizita e Gjon Palit II?

Përgjigje: - Gjon Pali II e vizitoi vendin tonë tri herë. Populli kroat ruan një kujtim të paharrueshëm për të Lumin Gjon Pali II. Selia e Shenjtë ishte ndër të parat që, në vitin 1991, e njohu Republikën e Kroacisë si shtet të pavarur.

Pyetje: - Sot vendi, që pret vizitën e Papës, ecën drejt afrimit përfundimtar në Bashkimin Evropian…

Përgjigje: - Papa Benedikti XVI vjen mes nesh në çastin kur Kroacia i afrohet Bashkimit Evropian. Kujtojmë akoma fjalët e tij atërore, drejtuar ne, ipeshkvijve, pesë vjet më parë, me rastin e vizitës ‘ad Limina’. Na pati thënë: “Vendi juaj, Kroacia, jeton prej kohe në kornizën e qytetërimit evropian e, me të drejtë, dëshiron edhe të njihet si anëtare e Evropës së Bashkuar. Me hyrjen në këtë institucion, ajo dëshiron të bashkëpunojë për të mirën e të gjithë banorëve të Kontinentit. Duke ju nxitur të vijoni ecjen në këtë rrugë, ju siguroj mbështetjen e Selisë së Shenjtë, që e ka vlerësuar dhe e ka dashur gjithnjë Kroacinë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.