2011-06-03 15:32:42

Bakteri vrasës infekton 2000 vetë dhe shkakton dëme prej 30 milion eurosh për bujqësinë


Esheria Koli, bakteri që frikësoi krejt Evropën, duket se po stabilizohet. Të paktën, kështu thonë burime nga Gjermania. Mbeten 11, viktimat e konfirmuara ndër 17, që dyshohen se kanë vdekur si pasojë e bakterit. 2000, të infektuarit në 12 vende, me disa raste të regjistruara edhe në SHBA-të. Është bërë e qartë tashmë se kastravecat spanjollë nuk mbanin përgjegjësi për përhapjen e Esheria Kolit, por pavarësisht nga analizat e kërkimet, burimi i tij nuk është gjetur akoma. Megjithatë, në Evropë përhapet me shpejtësi psikoza nga perimet. Rusia nuk importon më perime nga Bashkimi Evropian, megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë sqaron se nuk ka arsye për vendosjen e kufizimeve. I drejtuam mikrofonin për shpjegime një mjeku, ekspert të sëmundjeve infektive në Poliklinikën Universitare “Gemelli” të Romës. Të dëgjojmë profesorin Roberto Kauda:
Po verifikohet një vatër epidemie kryesisht në Veri të Gjermanisë, me përhapje edhe në vende të tjera, por duket se janë infektuar ata njerëz, që kanë qenë në atë zonë të Gjermanisë, ku janë sinjalizuar rastet më të shumta. Është një bakter, që quhet Esheria Koli, shumë i njohur: izolohet në jashtëqitjet e njerëzve, të kafshëve dhe ka përhapje të madhe në ambient. I ri është lloji i bakterit, që duket tejet helmues e ka aftësi të përhapet shumë shpejt.
Ky bakter a mund të luftohet me antibiotikë?
Është thënë dhe është e vërtetë, se nga pikpamja gjenetike, ky bakter është rezistent ndaj antibiotikëve. Por, nëse e shohim nga pikpamja klinike, terapia me antibiotikë as që mund të përdoret. Madje, nuk duhet përdorur, sepse duke u dhënë njerëzve antibiotikë, ne s’bëjmë tjetër, veçse e shkatërrojmë bakterin, duke vënë në qarkullim helmin përgjegjës për të gjitha ndërlikimet, nga dëmtimi i veshkave deri në format më të rënda të dëmtimit të trurit. Pra, është e drejtë të thuhet se ky bakter u reziston antibiotikëve, por duhet thënë edhe se terapia me antibiotikë, në këtë rast, nuk është aspak e përshtatshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.