2011-06-02 13:20:51

Të Shëlbuemit: “Unë jam me ju gjithë ditët”, thotë Jezusi


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 7-të Pashkëve, në të cilën Kisha kremton solemnitetin e festës të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, festën e të Shëlbuemit.
Fjala e Zotit na fton ti çojmë sytë drejt qiellit, ku Jezusi ngjitet tek Ati. Mes qiellit e tokës, e tashmja bëhet kohë ndërgjegjësimi për të jetuar me guxim dëshminë tonë.
Jezusi, duke u ngjitur në qiell, fillon një marrëdhënie të re me nxënësit e vet, në të cilën marrëdhënie prania e tij nuk do të jetë më e përcaktuar në një hapësirë apo në një kohë të caktuar, por në çdo “vend” nxënësi do të mund të gjendet para Tij e do ta takojë në jetën e vet. Nëse më pare, për të përjetuar shoqërinë e tij, nxënësit u deshën të largoheshin nga Jerusalemi, kur Jezusi “qe lartuar drejt qiellit dhe një re e mbuloi para syve të tyre” (Leximi I), ata u nisen të bindur e të entuziazmuar për të shkuar e mësuar të gjithë njerëzit, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt (Ungjilli).
E Shpirti do ti jap çdo nxënësi dijen, urtinë e zbulimin e misterit të Zotit për ta njohur gjithnjë e më thellë (Leximi II). Nuk kremtojmë me trishtim një “lamtumirë”, por gëzimin e një takimit të përtërirë: si nxënësit e Emausit, në çastin në të cilin Krishti Ngjallur u zhduk para shikimit të tyre, ata u nisen për të treguar mrekullitë e përjetuara, kështu nisemi edhe ne në misionin tone të përditshëm të bindur se: Zoti është përgjithmonë Zoti-me-ne.
Tani t'i dëgjojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele e pastaj komentin apo homelinë nga dom Gjergj Meta:.......RealAudioMP3

Të dashur vëllezër e motra në këtë të diel do të kremtojmë Ngritjen e Jezusit në qiell apo ndryshe sikurse quhet në traditën e popullit tonë Shëlbuemin. Dyzet ditë Jezusi i Ringjallur qëndron me dishepujt tij e sikurse na thotë leximi nga Veprat e Apostujve, në këto ditë ai u ka dhënë porosi dhe mësime atyre. Kështu ata janë të përgatitur për të vazhduar veprën e Jezusit me ndihmën dhe fuqinë e Shpirtit të Shenjtë që do t’u jepet atyre pas pak ditëve, pikërisht në Rrëshajë.
Leximi i parë lidh Ungjillin e Lukës me Veprat e Apostujve. Është i njëjti autor, Luka, por është edhe e njëjta histori. Me këtë lidhje gjuhësore Luka shpreh edhe një lidhje shpirtërore ndërmjet kohës së Jezusit dhe kohës së Kishës. Duke u ngjitur në qiell Krishti lë në duart e dishepujve, të Kishës së tij, veprën e Ungjillëzimit. Autoriteti i Apostujve e ka zanafillën nga vetë Zoti dhe ai e ka dashur një pushtet të tillë të tyre që është para së gjithash një pushtet shërbimi ndaj Mbretërisë së Hyjit e cila ka filluar realizimin e saj edhe pse ne nuk dimë kohën kur do të plotësohet përfundimisht. Dishepujve u besohet një mision, por nuk është në dorën e tyre programimi i këtij misioni. Detyra e tyre është të jenë të kujdesshëm ndaj zërit të Shpirtit që do t’u jepet dhe të gatshëm ndaj kërkesave të tij. Kufijtë e këtij misioni janë të pacaktuar, deri në skajin e botës duke filluar nga Galilea aty ku kishte filluar edhe vetë Jezusi.
Letra drejtuar efesianëve, nga e cila është shkëputur edhe leximi i dytë i kësaj të dele, hapet me një bekim të madh në të cilin soditet shestimi i mrekullueshëm i Hyjit, misteri i vullnetit të tij i cili qysh nga përjetësia përfshin krejt njerëzimin. Më pas Pali kërkon për besimtarët dritën shpirtërore që të jetojnë me vetëdijen e asaj çka Hyji ka paraparë për ta e që e bën me një fuqi të jashtëzakonshme e të pagabueshme.
Në Krishtin Ati e ka mundur vdekjen dhe çdolloj fuqie shpirtërore që kundërshton shestimin e shëlbimit. Frika nuk ka pse të ekzistojë më: Krishti i ngjitur në të djathtën e Atit tashmë mbretëron. Ai është kryet e gjithë krijimit dhe në mënyrë të veçantë i Kishës me të cilën krijon një bashkim të pandashëm.
Leximi i Ungjillit është pjesa e fundit e Ungjillit të Mateut. Jezusi takohet me dishepujt e tij, u shfaqet atyre e në të njëjtën kohë falet me ta. Sa shumë njerëzore janë sjelljet e dishepujve e sa ndihmojnë për të kuptuar shpeshherë edhe qëndrime tona të përditshme ndaj misterit të besimit. “Kur e panë - na thotë ungjilli – e adhuruan, por disa dyshuan”. Disa e adhurojnë sapo e shohin e disa të tjerë dyshojnë, nuk janë të sigurt. Kemi dëgjuar edhe për dyshimin e Tomës, për Pjetrin i cili nuk është i sigurt të ecë mbi ujë. Misteri i Zotit i ngjall të dyja këto qëndrime adhurimin dhe dyshimin. Janë të dyja qëndrime dhe ndjenja krejt njerëzore.
Përballë asaj çka tejkalon fuqitë e mia të kuptimit, përballë misterit të Zotit që është mister dashurie unë nuk mund të kem një qëndrim tjetër përveçse adhurimit. Fjala shqipe adhurim përkthen një fjalë tjetër që do të thotë shtrirje për tokë horizontalisht në shenjë nderimi, adhurimi për dikë. Duke u shtrirë përtokë dishepujt i dorëzohen misterit, nuk kanë fjalë pasi ajo çka ndodh i tejkalon mundësitë e tyre të kuptimit. Është aq e bukur dhe sublime saqë fjalët nuk kanë vend dhe heshtja është mënyra më e mirë për të bashkëbiseduar me këtë prani. Jo pse ata ishin të trashë dhe nuk kuptonin, por vetë misteri i Zotit është i tillë që nuk mund të kapet krejtësisht, përveçse pjesë pjesë dhe me hirin e Zotit, nga asnjë mendje njerëzore sado e zhvilluar dhe e mençur të jetë. Kjo është habia që vjen nga misteri. Dishepujt e adhurojnë, përulen para tij edhe për t’i dhënë gatishmërinë e punës dhe impenjimit të tyre.
Disa dyshojnë na thotë ungjilli. Edhe dyshimi e ka zanafillën e tij në paaftësinë për të kuptuar, por ata dishepuj mbeten peng të dyshimit. Dyshimi nga normal mund të kthehet shpeshherë në një mendjemadhësi e kështu në mëkat. Të dyshosh është mase normale, madje edhe për Zotin, por të qëndrosh në dyshim me dashje do të thotë të pretendosh se mund të kufizosh Zotin në inteligjencën tënde e kështu ai nuk është më Zot.
Jezusi nuk thotë gjë për asnjërën nga kategoritë, por ai thjesht ju lë detyrat e shtëpisë që ata duhet të kryejnë deri në kthimin e Zotërisë: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe ja unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës!” Një detyrë dhe një premtim. Detyra, që është thelbi dhe arsyeja e ekzistencës së Kishës: të shpallë ungjillin dhe të mbarështojë sakramentet. Premtimi: Unë jam me ju deri në të sosur të botës.
Kisha nuk do të kishte një arsye tjetër ekzistimi përpos ungjillëzimit. Të gjitha aktivitetet e tjera të Kishës janë vetëm mjete për të çuar ungjillin deri në skajet e tokës. Edhe kur Kisha kujdeset për të varfrit, edhe kur punon për kulturën edhe kur është e pranishme në masmedia nuk i bën si qëllim në vetvete, por vetëm për të çuar Lajmin e Mirë, Ungjillin, kudo. E këtë detyrë e ka çdo i pagëzuar në Kishë. Nuk është vetëm detyrë e ipeshkvijve dhe e meshtarëve, por edhe e rregulltarëve e laikëve e të gjithë kishës. Nganjëherë njëfarë tundimi gjarpëron nëpër ambientet tona: unë nuk flas për Zotin se nuk dua të dhunoj lirinë e atij tjetrit. Të shpallës ungjillin nuk do të thotë ta imponosh atë me dhunë. Të shpallësh do të thotë ta tregosh, ta thuash, ta dëshmosh me jetën tënde. Çdonjëri mbetet i lirë ta pranojë apo jo. Por ne kemi detyrën për ta shpallur atë.
Por mund të ndodhë edhe që ungjillëzimi të mendohet si një punë priftërinjsh dhe vetëm e atyre. Edhe kjo është një perspektivë e gabuar. Nga njëra anë meshtarët kanë për detyrë të mos monopolizojnë Ungjillin vetëm për veten e tyre e nga ana tjetër laikët kanë të drejtë të kërkojnë prej meshtarëve të tyre të përgatiten sa më mirë për të dëshmuar ungjillin. Koncili II Vatikan e ka ritheksuar nevojën e Ungjillëzimit nga ana e gjithë Kishës e të gjitha gjymtyrëve të saj. E sidomos në realitetin shqiptar, katolikët kanë nevojë të jenë të përgatitur për sfidat e ungjillëzimit dhe të kohës. Pjesëmarrja e tyre në të gjitha sferat e jetës duhet të brumoset nga parimet e krishtera dhe të mos kenë turp, në kulturë, në politikë, ekonomi, art, arsim të dëshmojnë besimin e tyre gjithnjë duke respektuar rregullat e laicitetit të shtetit dhe të organizmave të përbashkët.
Zoti premton: “Unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës” kjo është garancia e mbarëvajtjes dhe mirëvajtjes së detyrës që Zoti na ka dhënë. Jezusi premton praninë e tij në jetën e Kishës dhe në jetën e çdo besimtari. Pa të ne nuk mund të bëjmë asgjë. E vërteta është se Jezusi është subjekti parësor i çdo vepre ungjillëzimi të Kishës. Shpeshherë ai i paraprin Kishës dhe përgatit zemrat e njerëzve për ardhjen e misionarëve. Kështu ka bërë në fillimet e Kishës e kështu vazhdon e bën çdo ditë në jetën e saj. Prania e Jezusi është e garantuar nëpërmjet sakramenteve, nëpërmjet sakramentit të Kishës, nëpërmjet meshtarëve.
Por e mbyll me lutjen që në këtë të diel do të bëjmë në prefacionin gjatë meshës së shenjtë: “Ai (Jezusi) ndërmjetës i Hyjit dhe i njerëzve, Gjykatës i botës dhe Zotërues i gjithësisë, jo për t’u larguar nga përvujtërimi ynë, hyri para nesh në Mbretërinë e vet, por për të na dhënë shpresën e gëzueshme se edhe ne, gjymtyrët e tija, do të shkojmë atje ku është Ai, Kryet dhe Prijësi ynë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.