2011-06-02 12:04:18

Më 2 qershor kalendari kishtar përkujton shën Marçelinin e shën Pjetrin, martirë


Marçelini e Pjetri ishin të dy të krishterë të bashkësive të para romake. Po sa u zbulua se kishin përqafuar fenë e Krishtit, u zvarritën jashtë qytetit, në një vend që njihet me emrin “Dy Lasuret”, gjatë Rrugës romake Labikana, pranë trojeve të lateranëve, pikërisht atje ku sot lartohet Bazilika e famshme e Shën Gjonit në Lateran (Romë), njëra nga bazilikat patriarkale romake e seli e ipeshkvit të Romës.
Këtu, Marçelinin e Pjetrin i detyruan t’i bëjnë varrin vetes duke e gërmuar me duar. Si u bë gati gropa, ua prenë kokat për shkak të fesë së tyre në Krishtin, në zonën Torpinjatara (Torpignattara) rrugës Kazilina (Casilina) më 2 qershor të vitit 302. Trupat e tyre të martirizuar ranë në varrin e hapur e u mbuluan sakaq me dhé. Disa ditë më pas, matrona e përshpirtshme, Lucilla, i mori trupat e tyre dhe i varrosi me nderim.
Perandori Kostandin, sipas dëshirës të së ëmës, ngriti mbi eshtrat e martirëve një bazilikë madhështore e po aty, ndërtoi mauzoleun, ku vendosi trupin e Elenës, para se ta çonte për të pushuar në banesën e fundit, në Kostandinopojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.