Posa përfundoi muaji maj, e kalendari kishtar na shpalos 30 ditët e një muaji tjetër
të përkushtuar: qershorit, muaj tradicionalisht i lidhur me devocionin e besimtarëve
të krishterë ndaj Zemrës së Krishtit, përshpirtëri kjo e përhapur në botën mbarë që
prej katër shekujsh. Por cila është simbolika e Zemrës së shenjtë të Krishtit?
Përgjigje: - Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion,
është përshpirtëri. Është simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti – siç
ka thënë Gjon Pali II në një nga enciklikat e veta më të bukura – është i pasur me
mëshirë. Ky, në një botë kaq të munduar nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër
aktual e jashtëzakonisht ndërtimtar. Pyetje: - Kur lindi ky devocion? Përgjigje:
- Shumëkush mendon se devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë
të gjashtëqindës në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria
Alakok. Dhe është e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen
e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por
edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën
e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë
përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë
së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën
një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në
kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare
mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit. Pyetje: - Ndoshta fjala nuk është
e përshtatshme, por sidoqoftë e vë në pah idenë: çfarë përfitimi shpirtëror kemi nga
ky devocion? Përgjigje: - Përfitimi i parë që kemi është se krijojmë
një përfytyrim më të drejtë për Zotin, për Jezusin e për jetën e krishterë. Të kuptosh
se Zoti është dashuri, do të thotë t’i kapërcesh format e sëmura të druajtjes; themi
të sëmura, sepse ka edhe një druajtje shumë të shëndoshë; pra, të kapërcesh një farë
frike, një farë distance që nuk është e përshtatshme, që Zoti nuk e do nga ne. E kam
fjalën për formalizmin, për ndjekjen e praktikave të rëndësishme fetare, si të ishin
një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi, për të qenë në rregull me Zotin. Po kjo
nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është miqësia e vërtetë me Zotin! Pyetje:
- Devocioni i Zemrës së Krishtit është i lidhur ngushtë edhe me Apostullimin e Uratës…
Përgjigje: - Përshpirtëria e Zemrës së Krishtit është pikërisht në
qendër të Apostullimit të Uratës. E ka qenë që në fillimet e këtij devocioni, që i
fton të gjithë besimtarët të mblidhen rreth Zemrës Hyjnore.