2011-06-01 19:20:46

Shqipëri: Sipas Stonstreet baza ligjore e paqartë për numërimin e votave


Shefi i misionit të vëzhguesve të huaj gjatë votimeve të fundit në Shqipëri, Jonathan Stonstreet, informoi Komisionin Amerikan të Helsinkit në një seancë të posaçme mbi zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri. Stonstreet u shpreh se baza ligjore për numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara ishte e paqartë.
“KQZ mori njëherë vendimin për të hapur fletët e kontestuara dhe pastaj e sqaroi atë, ndërkohë që duhet të kishte ndodhur e kundërta”, deklaroi Stonstreet.
Të pranishmit në seancë të Komisionin Amerikan të Helsinkit, mes të cilëve Rob Benjamin dhe analisti Janus Bugajski, vlerësuan se procesi i 8 majit është karakterizuar nga një polarizim i skajshëm politik. Në këtë drejtim, Stonstreet theksoi se që para procesit mes partive dhe institucioneve ka pasur përplasje, por shtoi se vlerësimin përfundimtar ai nuk mund ta japë ende. “Një rezultat kaq i ngushtë, me 10 vota diferencë, do të vinte në vështirësi çdo administratë zgjedhore, në çdo vend të botës”, shtoi më tej Stonstreet. Njoftojnë agjencitë e lajmeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.