2011-06-01 14:25:30

Ratko Mlladiç del të premten para Gjykatës së Hagës


Krimineli Ratko Mlladiç, tashmë në Hagë, do të përgjigjet para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Burgu i Sheveningenit në Hollandë hapi dje dyert për ish-gjeneralin serbo-boshnjak Ratko Mlladiç, i cili mbrëmë u ekstradua nga Beogradi. Audienca e parë para Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës është fiksuar për të premten. Mlladiç do ta deklarojë veten të pafajshëm, ose jo, për 11 akuzat, që rëndojnë mbi të. Më e njohura është pa dyshim, masakra e Srebrenicës, në vitin 1995, ku humbën jetën mëse 8 mijë djem e burra myslimanë, por jo më pak, ai duhet të përgjigjet edhe për rrethimin e Sarajevës, që shkaktoi vdekjen e 10 mijë banorëve. Zëdhënësja e Gjykatës, Nerma Jelaçiç bëri të ditur se gjeneralit i janë dorëzuar të gjitha dokumentat dhe i janë shpjeguar të gjitha procedurat, që do t’i nevojiten për mbrojtjen, para se të vendosej në qelinë e izolimit, siç parashikon rregullorja për të sapoburgosurit në Sheveningen. I është dorëzuar gjithashtu edhe lista e avokatëve mbrojtës dhe është vizituar nga një mjek.
Ratko Mlladiç mund të përgjigjet para gjyqit së bashku me aleatin e tij të vjetër, Radovan Karaxhiç, i cili u kap në Beograd në vitin 2008. Shumë prej akuzave janë të përbashkëta e siç shpjegoi sot kryeprokurori Serzh Bramerc, 15 akuzat që rëndonin mbi Mlladiçin, janë reduktuar e bashkuar në 11, me objektiv unifikimin e gjykimit. Edhe Radovan Karaxhiçi duhet të përgjigjet për 11 akuza, që shkojnë nga genocidi te krimet e luftës e krimet kundër njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.