Papa në mbyllje të muajit maj: guximi i fesë në Po-në e pakushtëzuar të Virgjërës
Mari
Në këtë kohë Pashkësh, ndërsa i lutemi të Ngjallurit për dhantinë e Shpirtit Shenjt,
ia besojmë ndërmjetësimit amtar të Zojës së Bekuar Kishën e mbarë botën”- kështu u
shpreh Papa mbrëmë, në përfundim të Rruzares, kryesuar nga kardinali Komastri gjatë
procesionit me qirinj të ndezur, drejt Shpellës së Zojës Lurdë, në Kopshtet e Vatikanit.
Kremtim tejet prekës, që përsëritet çdo vit në fund të majit, muaj kushtuar Nënës
së Krishtit. Nën një qiell, ku peneli i Krijuesit luante me ngjyrat mahnitëse
të muzgut romak, në rrugicat dredha-dredha, stolisur me bimësi të dendur, që gërsheton
mahnitshëm degë, gjeth e lule, duke formuar herë herë edhe forma të dukshme kryqi,
besimtarët, kryesisht vatikanas, thanë me devocion të thellë Rruzaren, paraprirë
nga Misteret e Dhimbshme, shoqëruar me këngë të përshpirtshme e meditime. Dalëngadalë
mbi Kopshtet ra nata e qirinjtë e ndezur krijuan një qiell të ri me yje, në mes të
blerimit. Deri tek Shpella, që të krijon idenë se je pikërisht në Lurdë, atje ku
Zoja u duk e i foli njerëzimit, me gojën e një Bareshe të vogël. Në përfundim, prania,
fjala e lutja e Papës, që u prit me emocion të thellë. Ati i Shenjtë kujtoi figurën
e Gjon Palit II, me lumnimin e të cilit u hap muaji marian: “Ç’dhuratë e
madhe hiri ishte, për mbarë Kishën, jeta e këtij Pape të madh! Dëshmia e tij vijon
t’i ndriçojë jetët tona e na nxit të jemi dishepuj të vërtetë të Zotit, ta ndjekim
pas me guximin e fesë, ta duam me të njëjtin entuziazëm, me të cilin ai i dhuroi Krishtit
gjithë jetën”. E pikërisht mbi guximin e fesë e vuri theksin Benedikti
XVI, kur foli për figurën e Marisë, që besoi në kumtimin e Engjëllit dhe iu përgjigj
me fe të gjallë, duke pranuar me guxim planin e Hyjit për jetën e saj e duke mirëpritur,
kështu, Fjalën Hyjnore, që do të mishërohej në kraharorin virgjëror: “Siç
nënvizonte paraardhësi im në Enciklikën “Redemptoris Mater”, Maria e shqiptoi atë
“fiat” – u bëftë vullnesa e jote - me guximin e fesë; me këtë guxim u lëshua pa asnjë
ngurrim në dorën e Zotit dhe ia kushtoi gjithë vetveten, si shërbëtore e Hyjit, Vetjes
e veprës së Birit të Tij”. Ndërmjet besimtarëve ishin disa kardinaj, prelatë,
priftërinj, rregulltarë e rregulltare. Ata e besimtarët, të kryesuar nga kardinali
Komastri, thanë së bashku këtë lutje: “O Mari, Nëna e mëshirës, nganjëherë,
ashtu si fëmijët, edhe ne kemi frikë nga errësira: nga errësira e pandershmërisë,
që është aq e përhapur; errësira e familjes, pa vlera; errësira e të rinjve, pa ideale”. E
Papa, duke i këshilluar të gjithë t’i luten Marisë, që t’i ndihmojë t’i thonë “po”
thirrjes së Zotit me të njëjtën fe të përvujtë, uroi: “Ajo që, duke mirëpritur
në kraharorin e saj Fjalën e Hyjit, e lëshoi plotësisht vetveten në duart e Tij, na
priftë që t’i japim përgjigje gjithnjë më bujare e të pakushtëzuar planeve të tij,
edhe kur të na thërrasë të rrokim Kryqin”. O Zoja e Bekuar, që në Çenakull
iu lute, së bashku me Apostujt, Shpirtit Ngushëllues të Zotit – u lut në përfundim
Shenjtëria e Tij, duke ia besuar Zojës së Bekuar Kishën e mbarë botën - jepu gjithë
të pagëzuarve hirin e një jete të ndriçuar nga misteri i Zotit të kryqëzuar e të ngjallur,
dhuratën ta pranojnë gjithnjë më shumë në jetë, sundimin e Atij që, me ngjalljen e
vet, e mundi vdekjen”.